4 shkurt 2015 –  Kryeministri i ri i Greqisë, Aleksis Tsipras, ka zhvilluar, mbrëmjen e sotme, një takim me homologun e tij italian, Matteo Renzi. Gjatë një konference për shtyp, kryeministri italian i ka dhuruar Tsipras një kravatë, duke i thënë ta vendosë kur të dalë Greqia nga kriza.  

 "Kur të vijë koha që Greqia do të dalë nga kriza, sepse e di që do vijë këtë herë, kravata e parë që ju vishni Aleksis do të jetë italiane”, ka deklaruar Renzi.

 Sipas tij, suksesi i Tsipras është një sukses drejt shpresës, në kundërshtim me mesazhin e frikës, duke theksuar se është e rëndësishme për Greqinë që të ketë një lidhje të fuqishme me institucionet.   Nga ana tjetër Tsipras i ka dhuruar homologut të tij italian një CD më këngë greke. Ndërsa, gjatë takimit me homologun e tij italian, Tsipras është ndalur tek nevoja e ripërcaktimit të principeve bazë në Evropë, përkatësisht te solidariteti, drejtësia sociale dhe bashkëpunimi.  

"Këto janë vlerat e përbashkëta që na bashkojnë, të punojmë së bashku për ndryshimin e nevojshëm në Evropë, aty ku dominojnë politikat që përçanë Evropën. Tani erdhi koha të japim shpresë. Sa na përket neve, konsiderojmë të mirëqenë të kemi kohë për të përgatitur projektin tonë, që do të përfshijë reforma të nevojshme radikale, do të thoja, pasi vitet e fundit, me evazionin fiskal të të pasurve, vuajti klasa e mesme dhe është angazhim i yni që gjithë këto të ndryshojnë", ka theksuar kryeministri grek.      

/lajme"Sot"/