Shqipëria po kthehet gjithnjë e më shumë në një destinacion kyç të ekoturizmit në Europë falë Parkut Kombëtar të Lumit të Egër Vjosa, një nga mrekullitë natyrore më të rralla të kontinentit, shkruan faqja e njohur turistike Travel And Tour World.

Me një sipërfaqe prej 12 mijë e 727 hektarësh, Vjosa strehon mbi 1mijë e 100 specie bimore dhe shtazore. Ky mozaik natyror, që nis nga Greqia dhe përshkon jugun e Shqipërisë, vlerësohet tashmë si një pasuri me rëndësi globale për ruajtjen e natyrës.

Vlera ekologjike e territorit ka tërhequr vëmendjen ndërkombëtare dhe është vlerësuar si një pasuri me rëndësi globale për ruajtjen e natyrës.

Në vitin 2026, Parku Kombëtar i Lumit të Egër Vjosa pritet të jetë një nga destinacionet më të kërkuara për turizëm aktiv dhe përvoja në natyrë.

Për vizitorët që kërkojnë adrenalinë dhe kontakt të drejtpërdrejtë me natyrën, parku ofron mundësi të shkëlqyera për rafting, kajak dhe ecje në shtigje që zbulojnë pamje spektakolare. Periudhat më të preferuara për të vizituar zonën janë pranvera dhe vjeshta, kur klima është e butë dhe natyra shfaqet në kulmin e saj.

Me porta hyrëse në qytete si Përmeti, Tepelena dhe Këlcyra, Vjosa nuk është vetëm një atraksion turistik, por një simbol global i zhvillimit të qëndrueshëm, që tregon se Shqipëria mund të rritet ekonomikisht duke ruajtur të paprekura pasuritë e saj më të rralla natyrore. Sipas artikullit, për vitin 2026, Vjosa pritet të konfirmohet si zemra e aventurës natyrore në Ballkan, një destinacion ku adrenalinë, qetësi dhe biodiversitet bashkohen në një peizazh të rrallë.