· Kroacia, Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi si dhe drejtuesit e SOCAR-it nënshkruan një memorandum mirëkuptimi për një projekt për ndërtimin e gazsjellësit të ardhshëm Ionian-Adriatik
Kompania shtetërore e naftës dhe gazit e Azerbajxhanit SOCAR iu bashkua projektit të ndërtimit të gazsjellësit Jon-Adriatik (IAP), njoftuan mediat kroate.
Më 26 korrik 2016, Kroacia, Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina dhe Mali i Zi si dhe drejtuesit e kompanisë shtetërore të naftës dhe gazit të Azerbajxhanit SOCAR nënshkruan një memorandum mirëkuptimi për një projekt për ndërtimin e gazsjellësit të ardhshëm Ionian-Adriatik (IAP) dhe ceremonia e nënshkrimit të dokumentit u mbajt në kuadër të Forumit të Dubrovnikut, njoftoi media kroate.
Pas ceremonisë së nënshkrimit të memorandumit drejtori i “SOCAR Balkans” Murad Gejdarov tha se qëllimi i kompanisë shtetërore të naftës është lidhja e deteve Kaspik dhe Adriatik.
“Korridori Jugor, i cili përfshin gazsjellësin Jon-Adriatik është pjesë e rëndësishme e planeve tona. Ne kemi vendosur bashkëpunim të ngushtë me vendet pjesëmarrëse në këtë projekt”, tha ai.
Ministri i Ekonomisë i Kroacisë Tomislav Paneniç, tha se tubacioni i ardhshëm do të sigurojë furnizim me gaz për Evropën juglindore. “Ne kemi përcaktuar nismën tonë të përbashkët për zhvillimin e gazsjellësit Adriatik-Jon, si një rrugë që do të bëjë të sigurt se këto tregje furnizohen me gaz. Ne shpresojmë se kjo rrugë do të jetë një lidhje midis veriut dhe jugut dhe se kjo mund të hapë rrugën për një liberalizim të plotë të tregut të furnizimeve të gazit në Evropë”, tha ministri kroat.
Ministri i Ekonomisë së Malit të Zi, Vladimir Kavariç, nga ana e tij, tha se IAP-i është e vetmja mundësi për gazifikimin e Malit të Zi, prandaj “qeveria është e gatshme të bëjë gjithçka për të përshpejtuar dhe zbatuar me sukses projektin” dhe se “nënshkruesit e marrëveshjes ishin partnerë dhe jo konkurrentë në zbatimin e këtij projekti të rëndësishëm. Realizimi i tij mund të bëhet një shembull i shkëlqyer i bashkëpunimit rajonal, dhe ne mund të arrijmë sukses duke bashkëpunuar”.
Në përgjigje të interesimit të gazetarëve, ministri i Tregtisë së Jashtme së Bosnjë-Hercegovinës Mirko Saroviç tha se kërkesa themelore e Sarajevës ishte që një seksion i IAP-it duhet të kalojë nëpër Bosnjë-Hercegovinë. “Bosnjë-Hercegovina e mbështet këtë projekt dhe qasje rajonale. Ne u kërkojmë partnerëve tanë të sigurojnë që një seksion i rrugës të kalojë nëpër Bosnjë-Hercegovinë”, tha Saroviç.
Zëvendësministri i Energjisë dhe Industrisë i Shqipërisë Ilir Bejtja tha se Forumi i Dubrovnikut ka theksuar rëndësinë e sigurisë në furnizimin me gaz. Ky projekt do të stabilizojë furnizimet me gaz si ne do të kemi burime të diversifikuara, shtoi ai.
Në vitin 2007, Kroacia, Mali i Zi dhe Shqipëria nënshkruan një deklaratë mbi IAP-in, i cili duhet të lidhet me gazsjellësin Trans-Adriatik (TAP). TAP-i me gjatësi 870 kilometra duhet të transportojë gaz nga Shah Deniz II, Azerbajxhan, përmes Greqisë dhe Shqipërisë dhe detit Adriatik, drejt Italisë.
Gjatësia e gazsjellësit IAP nga Spliti, Kroaci në Fier, Shqipëri është 516 kilometra, dhe kapaciteti i këtij tubacioni do të arrijë në pesë miliardë metra kub në vit.
Investimi i Kroacisë në seksionin e saj të IAP-it vlerësohet në 265 milionë euro.
Th.M.





