Tiranë, 28 maj 2014 – Ish-i përndjekuri politik, Skënder Tufa i është kundërpërgjigjur dhëndrit të ish-kryeministrit Sali Berisha, Jamarbër Malltezi. Reagimi i Tufës vjen pasi dhëndri i Berishës shkroi se, “është turp dhe faqe e zezë edhe për ndonjë ambasador që shkoi të takonte të dënuarin me 7 vjet burgim për kryerjen e veprës penale të shfrytëzimit të prostitucionit, dhe nuk ndihet fare për këtë grevë që në thelb është sfidë e shtetit ligjor ndaj paligjshmërisë së qeverisë së boratit apo ediskobarit”.
Tufa e quan, Malltezin pjesë të një familjeje të inkriminuar dhe mafioze dhe thekson se është dënuar nga Berisha për hakmarrje dhe jo për prostitucion.
Reagimi i plotë i Tufës:
“Me keqardhje jam i detyruar që t’i kthej përgjigje Jamarbër Malltezit, personit që bën pjesë në një familje që unë e ndjej për ofendim të komunikoj. Ky person bën pjesë tek familja më e inkriminuar, më mafioze dhe më antikombëtare që kemi patur ndonjëherë. Dhe guxon ky Malltezi të shprehet publikisht kundër të përndjekurve.
Sa për dijeni, unë nuk kam kryer vepra prostitucioni, por jam dënuar nga vjehrri yt si hakmarrje ndaj çështjes Shoshori. Dhe kjo çështje është në gjykatën e Strasburgut e cila do të nxjerrë të vërtetën. Ti djalosh je pasuruar me gjakun që vjehrri yt i ka thithur shqiptarëve. Tani po përkëdhelesh politikisht duke u ingranuar në instancat më të larta të partisë së familjes tënde. Unë do ta ripërsëris se vjehrri yt me keqardhje edhe ti jeni pedofilë të politikës shqiptare. Nuk dua të ndalem me abuzimet dhe krimet që familja jote ka bërë në kurrizin e shqiptarëve, por dua të theksoj se ti me prononcimin e bërë dje vërtetove dhe një herë që jeni një klan antiamerikan. Ambasadori që erdhi dhe takoi jo Skënder Tufën, por zërin e pastër të ish-të përndjekurve shqiptarë që foli në mënyrë qytetare kundër diktaturës së vjehrrit tënd e gjykoi se greva e të burgosurve politikë kishte një motiv që përputhej me interesat e të gjithë shqiptarëve.
Fatkeqësisht, ligjet e këtij shteti janë ende në dorën e vjehrrit tënd, i cili mbron vrasësit, kriminelët, mafiozët dhe të korruptuarit.
Kundërshtarët e tij ai i përndjek, i burgos, dhe i vret.
Vjehrri yt edhe sot ka mbi 70% të pushteteve në zotërim dhe vazhdon të mbajë peng lirinë, integrimin dhe ndëshkimin e krimit të djeshëm, pjesë e se cilës është edhe ai. Shpreh keqardhje që qeveria e sotme është diabolike e pafuqishme për të zotëruar pushtetet dhe pse ka një përqindje shumë të madhe kartonash. Mosvënia e drejtësisë për çështjet Remzi Hoxha, Gërdeci, 21 Janari, Grevën e Urisë të Burgosurve Politikë, shitjen e interesave kombëtare, penalizon në mënyrë të drejtpërdrejtë kryeministrin Rama, i cili nëse nuk burgos Saliun e tritolit dhe bashkëpunëtoret ku mund të bësh pjesë edhe ti, do të lërë shijen e hidhur të një marrëveshjeje të fshehtë.





