“Dancing with the stars” ka qenë dikur një prej formateve më të pëlqyera të publikut shqiptar.

Spektakli i cili sillte personazhet VIP në arenën e vallëzimit, kishte tërhequr dëshirën e shumë prej emrave të njohur për të marrë pjesë.

Një prej tyre ka qenë edhe këngëtarja e njohur shqiptare, Altuna Sejdi – Tuna, e cila mori pjesë në edicionin e pestë të këtij spektakli.

Ajo ishte shpallur fituese e këtij kompeticioni, i cili për shpërblim kishte një apartament në Tiranë.

Mirëpo këngëtarja shkupjane ka treguar së fundmi përmes një postimi në InstaStory, se as sot e kësaj dite nuk e ka marrë apartamentin në fjalë.

Duke publikuar një fotografi të audiencës, ku publiku aso kohe kishte shprehur mbështetjen e tij për të, Tuna në mbishkrimin e fotografisë ironizoi duke shkruar me hipoteza se mos apartamenti në fjalë është “ende në ndërtim e sipër”.

“Sot shtatë vjet fitova Dancing with the stars Albania. Çmimi i premtuar në opinionin ishte një apartament në Tiranë…garant ende është duke u ndërtuar”, ka shkruar Tuna.

Ka kohë që nuk ka sjellë për publikun ndonjë projekt të ri muzikor, por Tuna ka qenë më shumë e përkushtuar në jetën private, përkatësisht rritjen e dy fëmijëve të saj.