Punimet për tunelin e Llogarisë kanë nisur prej më shumë se dy muajsh, ndërsa autoritetet përllogarisin që deri më tani faza e punimeve të jetë në masën 5%.
Drejtori i Përgjithshëm i ARRSH, Evis Berberi, i bëri të ditur ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, e cila ishte atje për të parë nga afër punimet se në krahun e Vlorës janë hapur të dyja portalet.
“Kemi arritur në ngritjen e kantierit, devijimin e rrugës nacionale për ti dhënë më tepër mundësi për të punuar. Janë hapur të dyja portalet në krahun e Vlorës. Është bërë betonimi i tyre, kemi ecur në portalin kryesor në 70 metra gërmim dhe në portalin sekondar në 30 metra gërmim”, tha ai.
Ndërkohë nga krahu i Palasës janë hapur të dyja portalet.
“Është hapur traseja nga 500 metra për rrugën dhe po vazhdohet me gërmimin e tuneleve. Jemi me ritme të mira dhe duke parë që gjeologjia sa vjen e përmirësohet, shpresojmë që me këtë gjeologji të mbajë deri në fund që të ecim sa më shumë”, tha Berberi.
Ndërkohë ministrja Balluku tha se në pikën ku ndodheshin do të bëhet një By Pass që të mundësojë kalimin e mjeteve gjatë sezonit të verës në mënyrë që të vijojnë në të njëjtën kohë punimet.
“Nuk e kemi besuar as vetë që në 60 ditë do të kishim këtë pamje të kantierit që kemi sot. Këtu jemi në një pikë shumë të rëndësishme ku do të bëhet bashkimi i një prej veprave gjithashtu të rëndësishme të rrugës Orikum-Dukat me pjesën e lidhjes së hyrjes së tunelit. Do të ndryshojmë lidhjen e rrugës për t’i lënë kantierit mundësi për të vazhduar, kështu që gjatë sezonit të verës do të kemi një By Pass tjetër, më të vogël, por që kalon direkt me pjesën atje”, tha Balluku.
Tuneli i Llogarasë do të jetë me dy kalime. Por krahas tij do të ndërtohet edhe një tunel emergjence. Drejtori i ARRSH-së tha se kushtet e sigurisë do të jetë maksimale në tunel.