Tuneli i Skërficës, pjesë e aksit rrugor Kardhiq-Delvinë pritet të jetë gati për qarkullimin e mjeteve duke nisur nga 2 korriku.

Ndërsa ndoqi nga afër ecurinë e punimeve që janë drejt përfundimit, ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku tha se vepra do të dorëzohet para afatit të përcaktuar në kontratë.

 “Me përfundimin e këtyre metrave të fundit që kanë mbetur për betonim ne kalojmë në pjesën tjetër, atë të asfaltimit të aksit hyrës dhe aksit dalës të këtij tuneli dhe të të gjithë tunelit, vijëzimin dhe gjithçka tjetër do të duhet. Ka pasur një pritje shumë të gjatë nga të gjithë qytetarët, të gjithë vizitorët, bizneset, kompanitë turistike për këtë aks lidhës, kështu që çdo ditë që dorëzohet para aftit do jetë shumë e vlerësuar nga të gjithë”, tha Balluku.

Tuneli i Skërficës me një gjatësi prej 3.1 kilometër që është i shoqëruar edhe me një tunel emergjence. Ai do të lidhë Gjirokastrën me Sarandën dhe vënia në funksion e tij pritet të shkurtojë ndjeshëm edhe kohën e udhëtimit nga Tirana në Sarandë.