Ndërtimi i një tuneli me nisje nga sheshi “Pranvera”, dhe përfundim në Currila të Durrësit, me gjatësi 1.2 km, ka ngjallur interes të madh te qytetarët e Durrësit.
Kreu i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, foli për herë të parë për projektin e ndërtimit të këtij tuneli që pritet të lidhë qytetin e Durrësit me zonën turistike të Kallmit, duke shmangur kështu qendrën e Durrësit, të mbingarkuar nga trafiku i madh. Bashkia ka hapur garën për tenderin me vlerë 125 milionë lekë, për hartimin e këtij projekti, me qëllim për të vlerësuar koston totale të tunelit lidhës.
“Kemi bërë një analizë të trafikut në qytet dhe kemi përcaktuar si një rrugë alternativë që mund të zhbllokojnë trafikun në sezonin turistik,e kemi përcaktuar ndërtimin e një tuneli si rrugë alternative. Jemi në fazën e hartimit të projektit, jo të ndërtimit të tij. Bashkia, nëpërmjet fondeve të saj, ka shpallur një garë për të realizuar këtë projekt. Vetëm pasi të kemi në dorë projektin dhe të njihemi me vlerën e tij, do të shikojmë mundësinë e zbatimit. Ne duam që të kemi në dorë projektin dhe të gjejmë mundësinë për financim me qeverinë shqiptare, Bashkimin Europian apo edhe donatorët e huaj. Ky tunel 1.2 km që nis nga qendra e Durrësit në sheshin “Pranvera”, do të jetë një projekt afatgjatë në zbatim. Duam të kemi situacionin në dorë dhe të vlerësojmë më pas zbatimin e tij”, tha kreu i bashkisë Dako për “DurrësLajm”.
Projektit të tunelit i paraprin nisja e punimeve për sheshin e Drejtësisë, para Mauzoleumit të Dëshmorëve, me vlerë 3 milionë euro dhe ndërtimi i pedonales nga “Pranvera” deri te Sheshi i Drejtësisë.
K.H.





