Pavarësisht se Instituti i Arkeologjisë ka vendosur të avancojë gërmimet arkeologjike në sheshin “Veliera”, për të parë lidhjen që ka struktura e periudhës osmane me murin bizantin, kjo nuk është bërë aspak pengesë që të vijojnë punimet me ritme të larta, në ndërtimin e tunelit nëntokësor në këtë shesh.
Aty ku deri pak muaj më parë ka qënë rruga kryesore e qarkullimit të automjeteve, është ndërtuar tuneli nëntokësor.
Punëtorët dhe makineritë pothuajse kanë përfunduar punën në ndërtimin e bazamentit të tunelit, i cili është në përfundim e sipër.
Rruga kryesore është gërmuar në thellësi për të ndërtuar këtë vepër urbanistike në qendër e në zemër të qytetit bregdetar.
Ndërkohë punimet mbeten të pezulluara në pjesën e sipërme të rrugës nacionale, me vendim të gjykatës, aty ku edhe kanë dalë në dritë objekte arkeologjike të periudhave të ndryshme.
Ky është një prej investimeve më të mëdha e të përfolura në Durrës.
Punimet e deritanishme dhe debatet e zhvilluara midis shoqërisë civile dhe bashkisë nuk e kanë tërhequr këtë të fundit nga realizimi i këtij sheshi.
K.H.