Kur na ndajnë disa orë nga ndeshja Shqipëri-Itali, tifozët kuqezi kanë ndezur atmosferën në Dortmund, që prej mbrëmjes së djeshme.

Me tupana, këngë e valle patriotike shqiptarët janë grumbulluar në disa pika të qytetit të Dortmundit, para se të marshojnë në mbrëmje drejt stadiumit “Signal Iduna Park”.

Thirrja “O sa mirë me qenë shqiptar!” oshtin në qytetin gjerman që është veshur me ngjyrat kuqezi. Festimet tradicionale të shqiptarëve kanë ndezur edhe kuriozitetin e rivalëve të sotëm në grup.

Italia dhe Shqipëria do të përballen në sfidën që nis nga ora 21:00, në një stadium ku pritet një “ortek kuqezi”, pasi mbi 50 mijë tifozë shqiptarë do të jenë në tribunat e impiantit prej 81.000 ulësesh.