Rrugët e Shqipërisë nga data 5-15 shtator po transformohen në një paradë klasike falë mbërritjes së Fiat Topolino-s legjendare në kuadër të turit “Conoscere l’Albania”.

Ndalesa e tyre e radhës, në ditën e tetë të turit ishte Durrësi dhe më saktësisht Shëtitorja “Taulantia”.

Mjetet e vendosura në sheshparkimin e shëtitores së qytetit bashkuan historinë, natyrën dhe pasionin për automjetet klasike, duke e bërë Durrësin pjesë të këtij udhëtimi unik që lidh Shqipërinë me Italinë.

Turistët italianë, bashkë me pasionin e tyre për makinat retro kanë sjellë në vendin tonë bukurinë e simbolit të historisë automobilistike.

Mjetet retro kanë përshkuar një sërë qytetesh shqiptare duke i ofruar publikut mundësinë të admirojë nga afër këto automjete.

Fiat Topolino, i prodhuar për herë të parë në vitin 1936, konsiderohet si një nga simbolet e motorizimit masiv në Evropë.

T’i shohësh këto makina retro të parakalojnë nëpër fshatrat dhe zonat historike të Shqipërisë është një mundësi unike për të rriturit dhe fëmijët, entuziastët dhe kuriozët.