Paraditen e sotme, grupe turistësh i linin vendin njëri – tjetrit tek Torra Veneciane. Mbërritja e krocerës “Nautica” në port, e cila solli 663 turistë amerikanë, kanadezë, australianë etj u shoqërua me një fluks të ndjeshëm vizitorësh të huaj në sitet e trashëgimisë kulturore të qytetit 3000-vjeçar.

Për kanadezët dhe australianët, Shqipëria është ende një vend jo shumë i njohur, por me një potencial shumë të madh për turizëm vjetor.

“Disa nga turistët thonë që nuk e njohin fare Shqipërinë dhe Durrësin. Në momentin që dëgjojnë historinë e një qyteti të lashtë 3000-vjeçar, menjëherë bëhen kuriozë dhe duan të dinë më tepër”,-thotë Ariana Isaku, anëtare e Unionit Turistik Shqiptar.

“Nga kompania e krocerave dëgjova për Shqipërinë, në të kundërt nuk do të kisha ardhur. Është shumë larg Kanadasë, por jam i lumtur që erdha”.

“E vetmja gjë që kam dëgjuar është që Shqipëria ka qenë vend komunist. Në Australi nuk dëgjojmë shumë lajme për vendin tuaj”.

“Turizmi po merr zhvillim në Shqipëri, menduam që ishte koha të vinim ta shihnim para se shumë të tjerë të vijnë. Po shohim çfarë ofron vendi juaj”,- thanë për mikrofonin e “DurrësLajm” turistë nga Kanadaja dhe Australia.

Për një turiste kanadeze, vizita në Shqipëri bëhet për një arsye të veçantë.

“Para shumë vitesh isha në Greqi dhe atje takova një shqiptare. Ishte shumë e dashur dhe i premtova që një ditë do të vizitoja vendlindjen e saj. Ja pra ku erdha dhe çdo gjë është e mrekullueshme”.

E hapur prej disa javësh tashmë, pas restaurimit një vjeçar, Torra Veneciane është kthyer në një monument shumë të vizituar, ku të huajt marrin informacion të plotë për historikun e saj.

Së bashku me amfiteatrin, ajo mbetet ndër sitet historike e arkeologjike më të vizituar, jo vetëm nga të huajt, por edhe vendasit.

Këtë sezon veror, vendi ynë po përballet me një bum turistësh, edhe nga vende që turizmin e kanë ndër pikat më të forta të ekonomisë së tyre.

“Ka shumë turistë spanjollë, por edhe nga Franca. Nga Italia ka shumë më tepër sesa vitet e kaluara. Kanë ardhur turistë nga Turqia dhe Gjermania, por ashtu si edhe vitet e tjera polakët mbajnë vendin e parë”,- thotë Isaku.

Sot, turistët që vijnë nga kontinente të tjera do të qëndrojnë vetëm një ditë në Durrës. Por vitin e ardhshëm, qëndrimi do të jetë shumë më afatgjatë.

“Një grup miqsh do vijnë vitin e ardhshëm dhe do të qëndrojnë 2 javë. Me shumë mundësi ne do të rikthehemi këtu me ta”,- thotë një turist nga Australia.

Vetëm në muajin korrik, Shqipëria u vizitua nga 1.7 milionë turistë të huaj, ndërsa në gusht shifra mund të rritet edhe më tej.

M.B.