Një udhëtim pas në kohë, në vitet e diktaturës komuniste, kur përgjimit nga Sigurimi i Shtetit i nënshtroheshin edhe turistët.

Por jo vetëm kaq, edhe një eksperiencë të veçantë e disi të harruar që të krijon sirena e alarmit që paralajmëronte futjen në vendstrehime, për t’u mbrojtur nga armiqtë imagjinarë.

Këtë ofron ekspozita muze “Turistë të përgjuar” e hapur në qendër të Durrësit, në shtëpinë e familjes Mima, në lagjen nr.11.

Brunilda Liçaj, qe së bashku me Arjana Isakun nga “Dea Lines”, është ideatorja e kësaj ekspozite që synon të ofrojë për të huajt që vizitojnë Durrësin një copëz Shqipërie të para viteve 90, na rrëfen si i lindi ideja.

“Turistët vijnë dhe kryesisht njohin vetëm aspektin negativ të Shqipërisë së asaj kohe. Prandaj unë u mundova të sjell, jo vetëm pjesën e horrorit të asaj çfarë kanë dëgjuar në të kaluarën, por njëkohësisht për të sjellë një pjesë të shtëpisë shqiptare të asaj kohe, e cila ka qenë në pjesën dërrmuese të shtëpive shqiptare. Jam munduar gjithashtu të sjell prodhimet tradicionale tonat, si kanë qenë të ndërtuara shtëpitë, si kanë qenë të arreduara, kush kanë qenë elementët kryesorë”,- thotë ajo për “DurrësLajm”.

Mes objekteve të ekspozuara, vëmendjen ta tërheqin shumë letra të qytetarëve evropianë, që i drejtoheshin autoriteteve shqiptare për t’i lejuar të vinin ta vizitonin vendin tonë. Mbyllja dhe izolimi thuajse total i Shqipërisë nga regjimi i kohës nuk zbehte kureshtjen e të huajve për të parë nga afër vendin e shqiponjave.

“E kemi quajtur këtë ekspozitë muze  “Peepping tourist”, pra “Turistë të përgjuar”, sepse në atë kohë ishin të paktë turistët që mbërrinin në territorin shqiptar me leje të posaçme. Siç mund të shihni kemi pafund kërkesa të tyre për të ardhur këtu dhe një pjesë e madhe e tyre përgjoheshin kur vinin”,- thotë Liçaj.

Jo vetëm arkeologji e monumente historike të periudhave të lavdishme të qytetit. Tashmë Durrësi ofron për turistët, por edhe ata që pak apo aspak e njohin periudhën e regjimit komunist një dëshmi reale e konkrete të viteve 1944-1990, kur vendi përjetoi diktaturën më të rreptë në Evropë.

M.B.