Zyrtarisht kemi hyrë në muajin gusht, muaji i fundit i sezonit veror. Në rrugët e Durrësit dhe në sitet e trashëgimisë kulturore ndeshesh me turistë nga vende të ndryshme të Evropës, fakt që dëshmon se qyteti buzë Adriatikut vijon të mbetet edhe këtë vit kryeqyteti shqiptar i turizmit. Kthimi i Shqipërisë në një nga top destinacionet turistike, që nuk duhen lënë pa vizituar pohohet nga vetë vizitorët e huaj dhe guidat që i shoqërojnë.

“Në Çeki ka një boom kërkesash për Shqipërinë. Është një vend shumë interesant dhe ka njerëz mikpritës. Në 3 vitet e fundit ka pasur interes të shtuar nga shtetasit tanë”.

“Shifrat e turistëve nga Portugalia që do të vizitojnë vendin tuaj po rriten. Kam miq e shokë, që e di se do të vijnë këtu për pushime në javët në vijim. Gjithnjë e më shumë portugezë do të vijnë në Shqipëri”.

Me vijën mjaft të gjatë bregdetare dhe numrin e madh të strukturave akomoduese, qyteti i Durrësit mirëpret çdo ditë flukset turistike, që vijnë në mënyrë të organizuar apo në formë individuale.

Përgjatë 7-8 ditëve qëndrimi, turistët nuk shijojnë vetëm plazhin, por përmes udhëtimeve ditore në qytete të ndryshme shohin nga afër gjithçka që Shqipëria turistike u ofron atyre.

“Bashkëkombasit e mi nga Portugalia, që kanë qenë këtu janë kthyer me përshtypje shumë të mira. Edhe unë vetë kamë mbetur mjaft i kënaqur deri më tani. Kam parë Shkodrën, Tiranën, do shkojmë edhe në Berat dhe në fund do të bëjmë plazh. Gjatë këtyre ditëve dua të shoh sa më shumë nga vendi juaj”.

“Po qëndrojmë në një hotel në zonën e Golemit. Shqipërinë po e shoh për herë të parë dhe do të qëndrojmë 8 ditë këtu. Dje ishim në Krujë, më pëlqeu shumë si qytet. Kalaja ishte fantastike dhe pamja magjepsëse. Do të vizitojmë edhe qytete të tjera në jug dhe veri”.  

“Po e vizitojmë Shqipërinë për herë të parë. Vijmë nga Sllovakia dhe do të qëndrojmë 8 ditë këtu, do të vizitojmë qytetin por edhe do të pushojmë në bregdet. Ushqimi na ka pëlqyer shumë”.

“Më shumë pëlqejnë natyrën, sitet e trashëgimisë kulturore, zonat malore të vendit”.

Shifrat e fundit të INSTAT tregojnë se në 6 muajt e parë të këtij viti në vend erdhën 4.7 milionë të huaj, ose 4,8% më shumë se vjet. Pjesa dërrmuese e turistëve është nga Evropa e kryesisht nga shtetet fqinje.

M.B.