Megjithë pengesat që ka hasur turizmi për shkak të pandemisë së koronavirusit, turistët e huaj nuk kanë munguar në qytetin bregdetar të Durrësit për të kaluar pushimet gjatë verës, apo edhe tani në stinën e vjeshtës kur temperaturat e ngrohta vijojnë deri vonë.
Një grup pushuesish të huaj kanë shëtitur në qytetin bregdetar duke u ndalur në sitet arkeologjike të qytetit antik. “DurrësLajm” i ka xhiruar teksa ata janë ndalur tek Rotonda dhe ciceroni i grupit i tregon më shumë rreth historisë.
Vëmendjes dhe kuriozitetit të turistëve që vijnë në Durrës nuk mund t’i shpëtojnë edhe objektet e tjera të vizitueshme, siç janë muri rrethues i qytetit, Torra Veneciane, banjat termale, pusi i Top Hanës, etj. Të gjitha këto monumente ndodhen shumë pranë njëri-tjetrit, prandaj janë një destinacion i lehtë për t’u vizituar dhe përfaqësojnë një atraksion të veçantë për turizmin kulturor në qytetin e Durrësit.
Resortet dhe hotelet në vijën bregdetare të Durrësit kanë sjellë vazhdimisht oferta dhe një koncept totalisht të ndryshëm shërbimi, duke konkuruar denjësisht tregjet ndërkombëtare si dhe duke joshur turistët për shkak të çmimeve të arsyeshme.





