23 korrik 2015 – Turistët që vijnë nga vendet e Evropës Lindore mbërrijnë në Durrës kryesisht me autobusë, ndërsa vizitorët nga Perëndimi në shumicën e rasteve lundrojnë drejt qytetit bregdetar me kroçera, velierë apo jahte.

Ndërkaq, sipas specialistëve të agjencive turistike, pjesa më e madhe e turistëve të huaj që vizitojnë Durrësin aktualisht vijnë nga vendet e Evropës Lindore.

Polonia, Çekia, Sllovakia, apo edhe Mali i Zi janë vendet që sjellin më shumë turistë të interesuar për Durrësin dhe vendin tonë në përgjithësi. Çdo ditë autobusë me turistë nga Çekia dhe Polonia nisen nga Budva (Mali i Zi) dhe për disa orë radhazi vizitojnë Kalanë e Krujës dhe qytetin historik. Qindra të tjerë vijnë më pas në Durrës, duke u ndalur veçënërisht në Amfiteatrin antik dhe Muzeun Arkeologjik të qytetit. Ballkanasit janë gjithnjë e më tepër të interesuar për Durrësin në veçanti, por ende nuk kanë mbërritur grupe me turistë serbë, të vetmit që vazhdojnë ta vizitojnë qytetin me grupe pune apo individë.

Ndërkohë, turistët nga vendet perëndimore vitet e fundit kanë preferuar turet mesdhetare me kroçera. Tri anijet turistike të fillmsezonit kanë sjellë në Durrës afro 1700 vizitorë, 90 përqind e të cilëve janë shtetas anglezë, ndërsa të tjerët vijnë nga SHBA-ja, Australia, Irlanda, etj.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/