Një turist britanik 63-vjeçar ka humbur jetën të shtunën pasdite në qytetin Segovia të Spanjës qendrore, pasi ra nga ujësjellësi historik romak, një prej monumenteve më të njohura të qytetit.
Sipas autoriteteve lokale, burri, mbajtës i pasaportës britanike, kishte mbërritur në Segovia të enjten, së bashku me dy persona të tjerë. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 13:00 në vendin e quajtur “Postigo del Consuelo”, një kullë vëzhgimi e ndërtuar në mbetjet mesjetare të qytetit, nga ku vizitorët shijojnë pamjet panoramike të ujësjellësit dhe qytetit.
Sipas hetimeve paraprake, turisti ishte ulur mbi kangjellat e shkallëve që çojnë drejt pikës së vëzhgimit, kur papritur humbi ekuilibrin dhe ra nga një lartësi e konsiderueshme. Ekipet e emergjencës mbërritën menjëherë në vendngjarje, por fatkeqësisht nuk arritën ta shpëtojnë.
Autoritetet gjyqësore spanjolle kanë nisur një hetim për të sqaruar rrethanat e plota të aksidentit.
Ujësjellësi romak i Segovias, ndërtuar rreth vitit 50 pas Krishtit, është një nga më të ruajturit në botë nga periudha antike dhe u përdor për furnizimin me ujë deri në vitet 1970. Që nga viti 1985, ai është pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s.