Brikena Nura është një pushuese me origjinë nga komuna e Skënderajt në Kosovë që po pushon në Durrës në plazhin e madh. Ajo është 26 vjeçe, ka lindur në Gjermani ku edhe punon si inxhiniere elektronike atje.
Prej vitit 2008, prindërit e saj kanë blerë dy shtëpi në Durrës, një apartament në plazh dhe një banesë tjetër në Kodër Arapaj, me prespektivën se një ditë fëmijët e tyre do të zgjidhnin të qëndronin gjatë në Durrës apo edhe mund të punojnë këtu.
Familja Nura në vitin 2008 qëndroi me pushime në plazhin e Durrësit, në banesat që ata investuan duke i blerë. Aso kohe, Brikena ishte adoleshente17-vjeçare. Familja e saj u kthye pas vitesh të tëra në Durrës, me qëllim që t’i shisnin banesat e tyre të cilat i kanë lënë në ruajtje të njohurve. Njëri prej vëllezërve të Brikenës është me aftësi ndryshe dhe duhet të qëndrojë në karrocë.
E reja ka pushuar në Francë, në Spanjë, në Itali, e vende të tjera, dhe bën diferencën me Shqipërinë dhe Durrësin, qytetin për të cilin familja e saj e ka ushqyer gjithmonë me ndjenjën patriotike të atdhedashurisë. Apartamenti i tyre i pushimit gjendet në sektorin “Teuta” në plazh.
“Njerëzit janë të paedukatë, i hedhin plehrat vend e pa vend. Sikur të ishin pak më të mirë me ambientin ku jetojmë edhe gjendja do të ishte ndryshe në plazh”, thotë pushuesja.
Inxhinierja thotë se është e pakuptueshme zgjidhja urbane që i kanë dhënë rrugës së re të plazhit, dhe më saktë shëtitores ku ata ecin. Shëtitorja është ndërtuar këtë vit, por në të nuk mund të ecë askush me karrocë.
“Problemi ynë është se ne kemi vëllanë që duam ta shëtisim, por karroca në të cilën gjendet nuk mund të lëvizë në këtë rrugë e në këtë vend. Nuk ka asnjë mundësi si të lëvizin njerëzit me aftësi ndryshe”, thotë 26-vjeçarja pushuese në plazh.
Ajo ka qenë në plazhet e Spanjës, të Francës, Italisë e gjithkund ku ka dashur, duke sjellë krahasimisht atë që gjen në plazhin e Durrësit.
“Sikur 60% e asaj çfarë ofrojnë plazhet e huaja të ishte në Durrës, do të ishte super. Por nuk ofrojnë as 40% të kërkesave të turistëve të huaj”.
Çmimet e produkteve ushqimore, restorantet e lira janë pika e fortë e plazhit.
“Për ne çmimet janë shumë të lira, për ju me pagat që merrni janë shumë të shtrenjta e të papapërballueshme”.
Bregdeti i Durrësit shquhet për larmishmëri çmimesh për sa i përket ofertës së pushimeve verore. Nëse një dhomë në banesat private në zonën e plazhit, varion deri në 10 euro/nata, nga 30 deri në 50 Euro varion një banesë me të gjitha kushtet brenda saj në zonën e Shkëmbit të Kavajës, duke përfshirë ajrin e konidicionuar, kuzhinën e gatimit etj. Edhe hotelet kanë çmime të ndryshme. Në hotelet luksoze, çmimet shkojnë nga 40 deri në 80 Euro/nata për paketat “gjithçka e përfshirë në çmim”.
Ndjekim intervistën!
K.H.