A po shënon Shqipëria një vit të mbarë turistik?! Për fat të mirë, vendi vijon të mbetet i preferuar nga turistët e huaj për shkak të larmishmërisë dhe bukurive të shumta natyrore, çmimeve ende më të ulëta se fqinjët, por edhe e favorizuar, deri diku, nga problematikat e ndryshme të udhëtimit në rajone të tjera, shkruan Monitor në editorialin e sotëm.

Edhe modeli i zbatuar prej disa vitesh, pas investimeve në hotele të mëdha, me gjithçka të përfshirë, po funksionon, sidomos në zonën e bregdetit të Durrësit. Të dhënat zyrtare të INSTAT treguan se hyrjet e shtetasve të huaj u rritën me 16% për 6-mujorin, në krahasim me të njëjtën periudhë të 2019-s dhe 40% vetëm për qershorin.

Turizmi i brendshëm është vështirë të vlerësohet për disa arsye. Së pari, vitin e kaluar, për shkak të kufijve ende të pahapur plotësisht, shumë pushues nuk udhëtuan dot jashtë. Tashmë ata janë të lirë të udhëtojnë ku të duan.

Së dyti, emigracioni duket se po ndikon të gjitha aspektet e ekonomisë, përfshirë dhe turizmin.

Së treti, çmimet e larta kanë stepur pushuesit, me operatorët që pranojnë se janë shkurtuar ditët e qëndrimit, apo reduktuar udhëtimet në fundjavë.

Së katërti, konsumatori po bëhet më i zgjuar dhe po refuzon të paguajë çmime të larta aty ku percepton se nuk i përgjigjet shërbimit të ofruar, sidomos në zonat e Jugut.

Pyetja tjetër është: sa e ka ndihmuar shteti zhvillimin e turizmit?

Pak, ose aspak. Modeli kaotik i turizmit që nisi pas viteve 2000 po vijon ende, po tani “i kamufluar” përmes fshatrave turistikë, që sjellin pak vlerë të shtuar për ekonominë, por fitime të shpejta për ndërtuesit, vijimit të betonizimit (këtë herë të Jugut), infrastrukturës së dobët, ndërtimi i së cilës po zvarritet prej vitesh, mangësive në siguri fizike e qetësi, që kulmon me luftën e shezlongëve, apo infrastrukturës së dobët për sigurinë e jetës e të shëndetit.

Aksidentet tragjike të ndodhura në territoret turistike, veçanërisht ato të shkaktuara nga mjetet e argëtimit në ujë, si rasti i një djali të ri, i cili vetëm pak javë më parë u dëmtua rëndë dhe ende është në spital, por që morën përmasë ulëritëse me aksidentin e disa ditëve më parë, kur një 7-vjeçare humbi jetën në bregun e detit, nxorën në dritë pikërisht atë çfarë prej kohësh kritikoheshin institucionet përkatëse në vend: mungesë vizioni për industrinë turistike, papërgjegjshmëri në administrimin e territorit në tokë dhe ujë, si tregues të qartë të korrupsionit.

Mbi të gjitha, këto aksidente ritheksuan shembullin më të keq që po japin institucionet shtetërore me demonstrimin arrogant të mungesës së vullnetit, për të zbatuar ligjin.

Nëse institucionet përkatëse do të bënin detyrat ligjore për ndarjen e plazheve private, konfliktet deri në dhunë nuk do të ekzistonin (kujtojmë që një vit më parë, katër persona humbën jetën pas debateve për ndarjen e hapësirave për vendosjen e shenzlongëve). Për të mos folur për plazhet publike, një e drejtë themelore e çdo qytetari, që pothuajse mungojnë.

Shteti mund të të mos vrasë direkt! Por shteti të vret edhe më mizorisht, kur vrasja është indirekte, si pasojë e keqmenaxhimit, korrupsionit, drejtimit me arrogancë, mungesës së zbatueshmërisë së ligjit, që i jep kontrollin më të fortit, i cili nuk pyet fare për rregullat, as në plazh e as në rrugë, as në vendin e punës e as në vendin e pushimit.

Një tregues i drejtpërdrejtë i “vrasjes së përditshme indirekte” është shkelja e rregullave të qarkullimit, një shkaktar kryesor për aksidente, jo rrallë edhe nga më të dhimbshmet. Për më tepër, kur shkaktarë janë zyrtarët e shtetit, kjo tregon kulturën e përgjithshme qeverisëse, mungesë respekti për ligjin, mungesë frike nga ndëshkimi.

Ministrat, ashtu dhe kryeministri, nuk mund të fshihen pas papërgjegjshmërisë së një njeriu të vetëm dhe parullës së shpikur “përgjegjësia është individuale”. Jo! Përgjegjësia është institucionale.

Sjellja e një individi thjesht reflekton papërgjegjshmërinë e një sistemi të tërë qeverisës, që i trajton qytetarët e vet me statusin e qytetarit të dorës së dytë dhe nuk arrin t’u ofrojë as garancinë minimale të zbatimit të ligjit, i cili do t’u mundësonte atyre të jetonin e të pushonin të qetë.

Deti ka qenë i trazuar prej kohësh, por ngjarje të tilla po shtojnë dallgët e reagimit qytetar. Reagim, në fakt, që duhet të kishte ardhur më herët, për të parandaluar apo për të minimizuar probabilitetin e ngjarjeve tragjike.

Vetëm presioni i lartë dhe i vazhdueshëm qytetar mund ta detyrojë qeverinë të reagojë e të marrë masa për zbatimin e ligjeve, që sot shumëkush nuk e ka problem t’í shqelmojë./MONITOR