Kryefjala e turizmit nuk është vetëm lulëzimi i ardhjes së rreth 10 milionë turistëve të huaj, por edhe mungesa e lartë e punonjësve. Ky sezon turistik pritet t’i gjejë sërish hotelet, restorantet dhe baret e zonave bregdetare me mungesë serioze stafesh.

Në vështirësi për gjetje të punonjësve është edhe “FAFA Hotels & Resorts” një ndër strukturat më të mëdha të hotelerisë në bregdetin e Durrësit.

Për Fatos Çerenishtin drejtuesin e rrjetit të hoteleve “Fafa” problematika vjen jo vetëm nga largimet në emigracion, por edhe nga specifika e punës sezonale të sektorit.

Z. Çerenishti thotë se janë punësuar punonjës të huaj nga Bangladeshi dhe Turqia. Ashtu siç po ndodh në shumë sektorë të tjerë edhe në hoteleri të punësuarit nga Bangladeshi, Shqipërinë e përdorin si trampolinë për të udhëtuar drejt Europës.

“Prej vitesh punësojmë deri 20 punonjës nga Turqia, kryesisht të profesionit kuzhinier. Punësimi i tyre është i qëndrueshëm përgjatë 3-4 muajve të sezonit turistik. Përveç tyre kemi punësuar edhe të huaj nga Bangladeshi, por marrja e tyre rezultoi problematike, jo e qëndrueshme, 20% u larguan. Aziatikët e punësuar në hotelet shqiptare më tepër vijnë për të ikur drejt ishujve të Greqisë”.

Kostoja për marrjen e punonjësve të huaj edhe Sipas Çerenishtit mbetet më e shtrenjtë se punësimi i vendasve. Përveç pagave neto, që për të huajt e punësuar në hoteleri arrijnë deri 600 USD në muaj, bizneset janë të detyruar të ngarkohen edhe me kosto për akomodim dhe ushqim.

“Në gjithmonë prioritet të punësimeve kemi vendasit, por tregu i punës gjithnjë e më shumë po e vështirëson mundësinë për rekrutimet e tyre. Edhe këtë sezon, siç ka ndodhur vitet e kaluara do të vijojmë të punësojmë të rinjtë shqiptare, duke investuar edhe te kualifikimi i tyre nëpërmjet trajnimeve.

Për shkak të specifikës së sektorit, ku punësimet më tepër janë sezonale strukturat e hotelerisë gjithmonë janë të detyruar të rrisin kostot për kualifikimet e punonjësve, veçanërisht të të rinjve”.

Nuk janë vetëm punonjësit nga Bangladeshi dhe India që përdorin Shqipërinë si vend trampolinë për të shkuar drejt Europës. Në sektorët e shërbimit, veçanërisht në bare dhe restorante, vjet në nisje të sezonit turistik, u larguan edhe të punësuarit nga Filipinet.

Enri Jahja nga Shoqata e Bareve dhe Restoranteve tha më herët për Monitor se rendimenti i punonjësve aziatikë është më i mirë dhe pagat e tyre janë më të larta krahasuar me indianët, por edhe ata po e përdorin Shqipërinë si trampolinë për ikje. Jahja shtoi se punësimi i të huajve është humbje kohe për biznesin.

“Mungesa e theksuar e fuqisë punëtore ka detyruar shumë biznese të bareve dhe restoranteve të punësojnë punonjës nga Bangladeshi, India dhe vendet aziatike.

Nga bizneset e pyetura konstatohet se punonjësit nga India e shohin vendin tonë, jo për të qëndruar si të punësuar, por për kapërcim drejt shteteve të tjera. Largohen në mundësinë e parë që gjejnë. Gjithashtu rendimenti i punës së tyre nuk është i njëjtë me shqiptarët.”

Për punonjësit aziatikë dhe nga Filipinet të punësuar në bare dhe restorante paga neto arrinte deri në 400 USD, si dhe kosto plus për fjetjen dhe ushqimin për 10 orë punë në ditë.

Për punonjësit e kualifikuar paga ishte më e lartë. Sektori i bareve dhe shërbimeve sezonin e vjetshëm turistik u gjend sërish me një mungesë prej 15,000 punonjësish. /Monitor