Në Durrës, çmimet e banesave vazhdojnë të jenë të lira për të gjithë pushuesit nga Kosova apo edhe Maqedonia që i prenotojnë ato.

Por banorët e zonës deklarojnë se për shkak të kushteve në të cilat ndodhet këtë verë plazhi i Durrësit, pjesa më madhe e dhomave që japin me qira vijojnë të jenë bosh.

Banorët deklarojnë se pritshmëritë kanë qënë më të mëdha, megjithatë si kompensim të situatës ku ndodhen asnjë prej tyre nuk paguan taksa në shtet, për dhomat që lëshojnë me qira.

Banorët që presin me padurim autobuzët me pushues nga Kosova thonë se banesat ende nuk i kanë legalizuar, ndërsa autoritetet kanë të drejtë të kërkojnë taksa vetëm kur të plotësojnë të gjitha kushtet e duhura për banorët dhe pushuesit.

Si rezultat i infrastrukturës së keqe në plazhin e Durrësit, çmimet e banesave private kanë rënë “përtokë” në pikun e sezonit veror, për shkak se numri i pushuesve mbetet i ulët.    

Çmimi i dhomave varion nga 10 euro pa kondicioner, deri në 15 euro me kondicioner në natë. Banorët ankohen se vetëm 50 % e dhomave janë të zëna.