DURRËS, 22 nëntor 2014 –  Së shpejti Durrësi do të jetë “far” turistik fetar ndërkombëtar, kështu në Shqipëri itinerari që dërgon pelegrinët katolikë nga Roma dhe perëndimi drejt Tokës së Shenjtë me destinacion Jerusalemin, ndjek gjurmët e rrugës së vjetër romake “Via Egnatia” (Durrës-Kavajë-Rrogozhinë-Peqin-Elbasan-Librazhd-Qafë Thanë).

Bëhet e ditur se drejtorja e përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit (AKT) znj. Julinda Dhame kreu një vizitë 2-ditore në Vatikan, si pjesë e një delegacioni të përbashkët, me kryetarin e Komitetit Shtetëror për Kultet z. Ilir Hoxholli dhe përgjegjësin për Marrëdhëniet me Jashtë të këtij Komiteti, ish-ambasadorin e Shqipërisë pranë Vatikanit, z. Rrok Logu.

Në Selinë e Shenjtë delegacioni u prit nga zëvendëssekretari për Marrëdhëniet me Shtetet në Vatikan Mons. Antoine Camilleri, shoqëruar nga monsinjor Henryk Jagodzinski.

Gjatë takimit një pjesë të mire zuri dhe diskutimi mbi marrëveshjen e bashkëpunimit kulturor e nënshkruar në vitin 2011 nga qeveria shqiptare dhe Opera Romana Pellegrinaggi institucion i Selisë së Shenjtë, i ngarkuar me promovimin dhe organizimin e pelegrinazheve në Romë dhe në tempujt e mëdhenj dhe vendet me interes fetar, kulturor dhe ekumenik në Itali dhe në botë.

Zbatimi i kësaj marrëveshjeje, e cila ishte lënë në harresë deri tani, do ta përfshijë Shqipërinë në programin e shtegtimeve dhe pelegrinazheve që kjo agjenci sinjalizon, për t’u vizituar dhe përshkuar nga besimtarët e ndryshëm katolikë nga gjithë bota.

Në Shqipëri itinerari që dërgon pelegrinët nga Roma dhe perëndimi drejt Tokës së Shenjtë me destinacion Jerusalemin, ndjek gjurmët e rrugës së vjetër romake “Via Egnatia” (Durrës-Kavajë-Rrogozhinë-Peqin-Elbasan-Librazhd-Qafë Thanë).

Përgjatë këtij itinerari dhe në afërsi të tij gjenden një sërë objektesh dhe atraksionesh të cilat paraqesin interes për turistët e ndryshëm.

Drejtorja e AKT-së znj. Dhame dha një intervistë edhe për Radio Vatikanin, ku deklaroi vullnetin dhe zotimin e qeverisë shqiptare në seriozitetin për ta çuar përpara marrëveshjen e firmosur vite më parë dhe promovimin e objekteve të kultit si atraksione turistike.

Vetëm Durrësi ka disa atraksione fetare, jo vetëm për pelegrinët katolikë (Kepi i Palit / Bishtpalla, ku predikoi Apostulli Pal që në shekullin I; bazilikat e Arapajt dhe amfiteatrit), për ata ortodoksë (kisha e Shën Astit), por edhe për myslimanët, si Xhamia Fatih, e treta më e vjetër në Shqipëri etj.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/