Shqipëria po bëhet një “strehë” në rritje për turistët që kërkojnë aventura përtej destinacioneve të zakonshme, shkruan Safak Costu, në një artikull të botuar në të përditshmen britanike Breaking News Network, ndërsa i referohet rritjes me 30% të numrit të vizitorëve gjatë muajit janar.
Nartativa turistike e Shqipërisë, sipas saj, po merr një kthesë të re me një rritje të konsiderueshme të vizitorëve duke e pozicionuar vendin si një destinacion turistik gjatë gjithë vitit për vizitorët; pjesa më e madhe e të cilëve vijnë nga Europa, SHBA-ja, Azia Lindore dhe Paqësori.
Në artikull thuhet se afro 475 000 vizitorë nga Evropa e konsiderojnë Shqipërinë si një destinacion të preferuar të sapo zbuluar në skenën e udhëtimeve. Rritja e turistëve nga SHBA-ja me 20% dhe një rritje mbresëlënëse prej 40% nga Azia Lindore dhe Paqësori, tregojnë gjithashtu një magjepsje në rritje globale për historinë e pasur të Shqipërisë, peizazhet befasuese dhe mikpritjen e ngrohtë.
Ky transformim përforcohet më tej nga investimet e rëndësishme në infrastrukturë, duke përfshirë zgjerimin ambicioz të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës. Por shifrat në sektorin e turizmit, nënvizohet në artikull, janë dhe një fener shprese dhe mundësie, pasi sinjalizojnë një të ardhme të ndritur për Shqipërinë në skenën globale.
Me dyert e saj të hapura gjatë gjithë vitit, Shqipëria sipas Safak Costu, ofron një ndërthurje unike të bukurisë natyrore, historisë dhe mikpritjes, duke ftuar botën të eksplorojë xhevahiret e saj të fshehura.