Lëvizja “Shqipëria e Re”, e ka ndalur udhëtimin e saj promovues të vlerave turistike të Shqipërisë, në qytetin bregdetar të Durrësit. Nën moton “Bëji nder vendit tënd, fto në Shqipëri sa më shumë vizitorë”, në tryezën e rrumbullakët pjesëmarrësit shkëmbyen ide konkrete për promovimin e turizmit. Ambjentalisti Sazan Guri, i pranishëm në takim, ka bërë apel për bashkimin e forcave për turizmin dhe mjedisin. Ai ka evidentuar një sërë problematikash që shqetësojnë aktualisht bregdetin e Durrësit dhe për rrjedhojë dëmtojnë turizmin dhe jetën e qytetarëve. 

“Të bashkojmë forcat për turizmin dhe mjedisin. Motoja bëji nder vendit, më kujton Xhon Kenedin, i cili thoshte se nuk ka rëndësi se sa i merr vendit, por se sa i jep ti atij”,- është shprehur ambjentalisti Guri. Ndërkohë Edmond Vlashaj, kryetari i Lëvizjes “Shqipëria e Re”, njëkohësisht president i Unionit të Sipërmarrësve Shqiptarë, ka informuar pjeswmarrwsit nw panel se fushata synon të ndërtojë “institucionet e dëgjimit”, ku komunikohet në mënyrë të barabartë dhe dëgjohen propozime. Duke u ndalur tek propozimet konkrete, ai ka theksuar se qytetet kryesore shqiptare kanë nevojë për tregje turistike, ku të shiten produkte të zonës. Një ide tjetër e propozuar prej tij, ka qenë promovimi i bujtinave. Një politikë e kujdesshme çmimesh, sipas tij është një tjetër pikë e fortë për nxitjen e turizmit, ndërkohë që vlerësoi dhe rolin që kanë rrjetet sociale për promovimin e pikave turistike.