Këtë verë, gjatë korrikut dhe gushtit, Saranda ishte e rezervuar 100% në çdo strukturë akomoduese apo apartament të lëshuar me qira ditore/javore për pushuesit.

Interesi i jashtëzakonshëm turistik për Shqipërinë solli një valë të paparashikuar pushuesish në skajet më jugore të vendit, ku për të shkuar në Ksamil të duheshin orë të tëra në trafik, ndërsa gjetja e akomodimit ishte mision i pamundur.

Vlora dhe Himara, me zonat e tjera të Jugut, panë gjithashtu një rritje eksponenciale të turistëve, por tipologjia e akomodimit në këto rajone e bëri më të përballueshëm vrullin e vizitorëve, të cilët ishin kryesisht individë, në një pjesë të madhe me qëndrim afatshkurtër.

Durrësi, nga ana tjetër, ofroi panoramën e tij të zakonshme të turizmit të organizuar, një model që po zbatohet me sukses prej vitesh dhe ku hotelet janë mësuar të punojnë nën presionin e fluksit mbinormal.

Mundësia e bashkëpunimit me operatorë turistikë të huaj dhe konsolidimi i kontratave me garanci i paketave “all inclusive” e ka bërë Durrësin dhe Kavajën modelin më të qëndrueshëm të turizmit në vend.

Veriu ishte rajoni më ekonomik ku qëndruan ata që nuk e përballonin më bregdetin e “pushtuar” nga të huajt. Velipoja dhe Shëngjini mirëpriti kryesisht shqiptarët e Kosovës dhe vendasit që donin pushime me kosto të ulët.

Përveç bregdetit, thuajse çdo qytet turistik, edhe në brendësi të vendit, pati rritje të fluksit turistik që përveç shifrave që raportohen nga bashkitë, ishte e thjeshtë të vërehej edhe me sy të lirë.

Tirana, Kruja, Berati, Gjirokastra e me radhë patën më shumë vëmendje, ku grupet e organizuara të tureve kulturore, por edhe turistët individualë, mund t’i hasje kudo.

Teksa ky është viti më i mirë i Shqipërisë në aspektin turistik dhe mes deklaratave të suksesit, nuk kanë munguar as planet e së ardhmes, dilema që shtrohet para është modeli turistik që do të ndjekë vendi në këtë moment të rëndësishëm.

A do të jemi një vend që pret turizmin masiv, një vend që synon të rrisë turizmin elitar, apo një vend që do të ecë në mënyrë kaotike?

Promovim apo … arsyet pse Shqipëria mori vëmendje turistike

Shqipëria është bërë kryefjalë e rrjeteve sociale, blogjeve, artikujve të mediave të huaja, si një destinacion turistik ku janë thënë padyshim fjalët më të mira, ashtu sikurse është “kryqëzuar” në formën më brutale.

Për ekspertët e sektorit, ky është viti më i mirë turistik i yni dhe një moment domethënës, ku gjithçka duhet të merret më seriozisht, në rast se do të duam të ruajmë këtë kulm të arritur.

Por a është në këndvështrimin e tyre i gjithë ky sukses një marketing i mirëmenduar i cili po funksionon?

Duket se jo. Sipas tyre, ajo që i ka dhënë Shqipërisë këtë vëmendje së pari janë linjat me kosto të ulët, duke e bërë vendin tonë të arritshëm me fluturime me çmime të ulëta.

“Shqipëria përfitoi jo thjesht një rritje nga promovimi i madh që thuhet herë pas here, por një rritje të munguar, për shkak të pengesave në trafikun ajror.

Po të shohësh edhe shifrat, rritjet më të mëdha i ka aeroporti.

Nëse do të pranonim rritjen si efekt i promovimit, si do ta shpjegonim rritjen e fluturimeve dalëse, pra të shqiptarëve që kanë ikur jashtë, që është në të njëjtat ritme rritjeje, si edhe hyrjet.

Mjafton të ndjekësh fluturimet që ishin në 2019 dhe ato që janë sot në 2023, apo që parashikohen në 2024 dhe bindesh për ato ritme rritje që ishin, janë dhe do të jenë.

Madje mendoj se në vitin 2024 do të jenë edhe më të larta.

Së pari, sepse shtohet një tjetër kompani ajrore me kosto të ulët, që do të thotë ura të reja lidhjeje me vende të tjera”, – shprehet Besnik Vathi, operator turistik.

Edhe rrjetet sociale, sipas tij, kanë pasur peshë jo të vogël.

Zak Topuzi, nga Shoqata Shqiptare e Hotelierëve, vlerëson se promovimi në mediat ndërkombëtare, por edhe në rrjetet sociale, solli interes që na gjeti të papërgatitur.

“Reklamimi i Shqipërisë në media të rëndësishme ndërkombëtare dhe rrjetet sociale, (pjesë e strategjisë për promovimin e turizmit nga AKT për 2023), si një ndër destinacionet që duhet vizituar për nga bukuritë por dhe i lirë, rriti interesin për vendin.

Sigurisht dhe epitete si ‘Maldivet e Europës’ krijuan efektin domino, duke sjellë më shumë lëvizje individuale të të gjithë kategorive të turizmit, nga Gjenerata Z e te deri familje me fëmijë” vlerëson ai.

Shqipëria, një vend me turizëm masiv të lirë apo elitar?

Shqipëria u etiketua masivisht si vend i lirë këtë vit nëpër shkrime e blogje ndërkombëtare, duke rritur interesin për ata që parapëlqejnë pushime ekonomike.

Në deklaratat që kreu i qeverisë bëri në disa dalje për mediat ndërkombëtare, theksoi se vendi nuk do të jetë më kaq i lirë në vazhdim, duke nënkuptuar një qasje më të fortë drejt turizmit elitar.

Për ekspertët e sektorit, modeli turistik nuk ndahet me thikë, vetëm masiv apo vetëm elitar, dhe fatmirësisht, Shqipëria ofron mundësi për të gjitha këto, por modelin, më shumë se dëshira e zgjedh vetë tregu.

Qeveria, nga ana tjetër, dhe operatorët e ndihmojnë tregun që të ngrihet në potencialin e tij.

“Një vend elitar nuk e bën as qeveria, as dëshira e bizneseve, por infrastruktura, pagat, shërbimi cilësor dhe kualifikimi, gjëra që ne sot për sot na mungojnë.

Ne ende nuk kemi shkolla të përgatisim realisht punonjës të nivelit të ulët profesional, jo më të përgatisim strukturën më të lartë të administrimit në industrinë hoteliere.

Së dyti, ne nuk i kemi shërbimet edhe prej numrit më të paktë të punonjësve, por edhe prej gjërave më bazë si administrimi i trafikut, apo marrja e informacionit primar të udhëtimit dhe orientimit.

Ky vit u dominua jo thjesht nga turizmi i organizuar, por nga turizmi individual kaotik, i pakontrolluar dhe nga ku turisti nuk mori maksimumin e mundshëm të vendit që vizitoi.

Lidhur me turizmin elitar apo low cost, përgjigjja është e thjeshtë, lërja tregut ta zgjidhë”, – shprehet z. Vathi.

Për z. Topuzi, vendi ynë duhet të shkojë drejt një turizmi të kombinuar, duke e parashtruar qartë në dokumente strategjike të sektorit dhe duke e materializuar pastaj në mënyrë konkrete.

“Një turizëm i kombinuar, duke fuqizuar gradualisht sektorin e turizmit elitar dhe atë të resorteve, do të ishte një zgjidhje e perspektivës, pa lënë mënjanë vitalizimin e qendrave urbane dhe fshatrave bregdetarë, por dhe ata malorë.

Nuk mund të mburremi me numrin e hyrjeve në kufi. Sipas INSTAT, tipologjia e hyrjeve në vend është mjaft përcaktuese, 70% e tyre janë me origjinë shqiptare, jo rezidentë.

Çdo ndryshim strategjie do të kërkojë hartimin e politikave dhe masave të mirëmenduara.

Shqipëria e ka të ardhmen te natyra, malet, luginat dhe te njerëzit që jetojnë aty me dashurinë e tyre, mikpritjen.

Sot është e vështirë të gjesh vende ku banorët vendas t’i japin turistit mundësi të njihet me traditat, zakonet dhe të jetojë ato pak ditë si vendas. Nuk duhet ta humbim këtë mundësi”, – nënvizon z. Topuzi.

Vila apo resorte dhe potenciali i rajoneve nga Jugu në Veri
Pjesa qendrore e bregdetit, Durrësi dhe Kavaja, ka krijuar një formë më të qëndrueshme të turizmit, si rrjedhojë e investimeve në kapacitete akomoduese, të cilat janë shumëfishuar nga viti në vit dhe nga afërsia me Aeroportin e Rinasit.

Hotelet ia kanë dalë të nënshkruajnë kontrata me garanci 180-ditore, duke pasur kështu tregje të sigurta. E njëjta gjë nuk mund të thuhet për Jugun, ku mungesa e një aeroporti cilësohet një nga pengesat kryesore.

Për operatorët e sektorit, më shqetësuese është mungesa e kapaciteteve akomoduese. “Ne po ndërtojmë një aeroport në Jug dhe shumë shpejt do të dalë problemi i mungesës së hoteleve e për rrjedhojë, s’mund të lidhen kontrata siç ndodh me Durrësin.

Nuk kemi hotele në këtë zonë, por vrasim mendjen si të japim licenca për investitorë strategjikë, që duan të bëjnë rezidenca banimi për shitje.

Përveç dëmit që pëson vija bregdetare nga ky transformim, humb edhe mundësia për të përfituar ekonomikisht në aspektin turistik.

Një rezidencë banimi ndërtohet dhe shitet dhe aty mbaron fitimi, nuk do të marrësh më të ardhura pas këtij momenti. Nuk ka më turistë.

Ka një formulë që thuhet se ato merren së bashku, menaxhohen dhe jepen me qira për turistë, por këto për mua janë thjesht argumente për të mbuluar nevojën e shitjes së nxituar që kanë këta investitorë.

Një investitor strategjik në turizëm bën llogari sa të ardhura do të marrë nga aktiviteti turistik që gjeneron dhe jo nga shitja e vilave. Këtu kemi të bëjmë me ndërtues jostrategjikë dhe jo me investime turizmi” nënvizon z. Vathi.

Por a jemi vonë për të korrigjuar politikat e fshatrave turistikë ku ndërtohen rezidenca banimi?

Për z. Topuzi kemi ende mundësi të zhvendosemi nga kjo politikë dhe të shkojmë drejt ndërtimit të resorteve, ndërkohë që disa rajone në vend mund të kthehen në destinacione të këtij segmenti.

Për të tërhequr pjesën luksoze që shfrytëzon pak kapacitet, por paguan shumë, ka nevojë për investime në infrastrukturë dhe pjesën portuale.

Ai vlerëson se Ksamili, një nga rajonet më të mediatizuara dhe më të promovuara ka potencial për t’u kthyer në një “ishull” elitar, nëse kalon një fazë rikualifikimi.

“Ksamili kërkon një ‘rikualifikim të territorit’, duke filluar me termin: Ku nuk duhet ndërtuar, duke vendosur piketa të qarta se cilat objekte duhen rikualifikuar, duke ruajtur arkitekturën lokale, cilat objekte duhen prishur, duke u lënë kohë të mjaftueshme pronarëve të transferojnë biznesin për 3-5 vitet e ardhshme.

Së fundi, më shumë kujdes mbi atë se ku duhet ndërtuar. Duhen parashikuar kredi të buta dhe grante që transformimi të bëhet me sa më pak dhimbje”, – thekson z. Topuzi.

Pjesa tjetër e Jugut, që cilësohet si cilësore, mund të kombinohet mes resorteve dhe shtëpive karakteristike të zonës, si një formë që funksionon.

Veriu ende në zhvillim paraqet potenciale dhe ndërlidhja me Malin e Zi nëpërmjet projektit të Urës mbi Bunë dhe një aeroporti të përfolur në Ulqin është një zhvillim që mund të ndryshojë panoramën aktuale./ MONITOR