Këtë sezon veror, përgjatë vijës bregdetare të Durrësit do të funksionojnë 65 plazhe publike. Nënkryetari i bashkisë, Florian Tahiri, thotë se pas aplikimit në e-Albania është bërë përzgjedhja e plazheve private, ku prioritet u është dhënë hoteleve dhe restoranteve me shumë tavolina, ndërsa janë përjashtuar subjektet, që vitet e shkuara pajiseshin me leje vetëm për plazh privat.
“Janë eleminuar këtë vit ato subjekte që hapeshin vetëm për sezonin turistik dhe kishin si fokus të punës së tyre vetëm plazhin privat. Ne kemi vendosur përgjatë vijës bregdetare të Durrësit dhe Shkëmbit të Kavajës tabelat për 65 plazhet publike dhe qytetarët mund të shkojnë të pushojnë pranë tyre”,- tha Tahiri.
Sezoni veror i këtij viti, kur jemi në fund të qershorit, ende nuk ka nisur si vitet e kaluara, për shkak të pandemisë dhe mbylljes së kufijve. Por si janë pritshmëritë e operatorëve turistikë? Fisnik Gjinali, administrator i hotel “Vala” thotë se është e vështirë të bësh parashikime këtë sezon, por gjithçka do të varet nga turizmi vendas dhe ai rajonal.
“E rëndësishme është që turizmi vendas ka filluar të lëvizë. Ky mund të jetë i vetmi avantazh që mund të kemi pasur nga kjo pandemi. Shqipërisë i duhet patjetër ky lloj turizmi, sepse fatkeqësisht ne kemi turizëm vetëm 5 muaj të vitit, ndërkohë që kemi kohë të mrekullueshme dhe turizmi mund të zgjasë 11 muaj. Mbetet për t’u parë si do të vijojë situata pas pandemisë dhe hapjes së kufijve, por ne duhet të jemi optimistë”,– thotë Gjinali.
Kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako, e pranon se sezoni turistik mund të mos jetë aq i suksesshëm sa ai i vitit 2019, por pushteti vendor ka marrë të gjitha masat për të mbështetur operatorët turistikë dhe për të garantuar kushtet maksimale për pushuesit.
“Vjet kemi pasur një sezon shumë të mirë dhe është e pamundur të bëjmë parashikim për këtë vit. Ne do të përpiqemi shumë për të ofruar kushtet maksimale për transportin, pastrimin e qytetit. Këto janë elementë që do ta ndihmojnë turizmin. Ndoshta nuk do të jemi në të njëjtin nivel si një vit më parë, por besoj se situata do të jetë pozitive”,– deklaron kryetarja e bashkisë Durrës.
Sezoni veror është shtyrë këtë vit deri në nëntor, por nuk dihet nëse operatorët turistikë do të mund të rikuperojnë humbjet e muajve maj dhe qershor.
M.B.





