Natyra i ka falur Durrësit potenciale të jashtëzakonshme turistike, të vëna keq në menaxhim. Problemet e mbartura në vite janë po ato, të cilat i prishin edhe imazhin bregdetit durrsak, i cili është edhe më i frekuentuari në vend, në stinën e nxehtë nga shqiptarët brenda e jashtë kufijve
Këtë javë të tretë të majit, me qindra banorë të zonës së plazhit në Durrës, qëndrojnë në rrugë duke pritur, të zbarkojnë autobusët e Kosovës me pushues. Ata kanë hapur shtëpitë e tyre, për të mikpritur pushuesit, kundrejt qirasë, me çmime dy deri tre herë më të ulëta se hotelet. Madje ata dalin para autobusëve që ndalojnë, duke u ofruar atyre që zbresin dhoma me qira që variojnë, në bazë të kushteve, nga 10 në 15 euro në natë. Ashtu sikundër këta banorë të zonës, janë edhe njësitë e bizneseve, hotelierët, të gjithë me sytë nga rruga, e vetmja hapësirë, që ndan në mes blloqe të lartë pallatesh, duke pritur se sa pushues do të vijnë, sa prej tyre do të qëndrojnë…E gjithë kjo situatë në mungesë të zyrave të informacionit, promocionit, marketingut, vendin e të cilave e kanë zënë njerëzit në rrugë.
Autobusët e parë
Sezonin e kanë hapur, dhjetëra autobusë me studentë dhe nxënës gjimnazesh, që si cicërimat e para të pranverës, kanë mbërritur në plazhet e Durrësit, duke qenë të parët që i dhanë gjallëri zonës së “shurdhuar” muaj me radhë. Jo pak probleme që përsëriten çdo vit janë sërish evidente për pushuesit, tek të cilët i mbajnë “sytë dhe frymën”, qindra njësi biznesi, banorë të zonës, tregtarë, madje edhe qindra ambulantë, pa harruar edhe “buxhetin e shtetit”. Të gjithë kërkojnë nisjen e sezonit turistik, që do të thotë hapje e aktiviteteve të tyre tregtare, punë dhe para. Të gjithë aktivitetet kanë nisur përgatitjet dhe një numër i konsiderueshëm i tyre po presin padurimisht pushuesit e parë të cilët janë edhe frekuentues të plazhit. Natyra i ka falur Durrësit potenciale të jashtëzakonshme turistike, të vëna keq në menaxhim, por problemet e mbartura në vite janë po ato, të cilat i prishin edhe imazhin bregdetit durrsak, i cili është edhe më i frekuentuari në vend, në stinën e nxehtë nga shqiptarët brenda e jashtë kufijve. Dielli, rëra janë ndër të parat "thirrje", por gjithsesi nuk mbeten më pas ushqimi i detit e më tej mundësia për të shijuar vende të ndryshme. Përveç turizmit të banjave diellore, Durrësi ofron turizmin kulturor për shkak të trashëgimisë historike dhe kulturore që ka ky qytet.
Bizneset nisin përgatitjet
Duke shëtitur në bregdet, prej Urës së Dajlanit deri tek Shkëmbi i Kavajës, vëren se fenomeni i betonizimit, ka goditur rëndë jo vetëm zonën pas rërës por edhe vetë sipërfaqen e saj dhe në mënyrë të pandreqshme është dëmtuar e gjithë zona. Shëtitorja bregdetare, nga Ura e Dajlanit deri në Iliria, kufiri fundor, është bërë copa-copa, ndërsa qindra e qindra metra kub rërë janë hedhur mënjanë në breg të detit për t’i lënë vend ndërtimit të objekteve disakatëshe dhe pallateve, hoteleve e restoranteve që ecin e lartësohen me shpejtësi të madhe. Ndërtimet vijojnë me ritme të larta, ndërsa nga shëtitorja e ndërtuar disa vjet më parë, vetëm në disa segmente kanë mbetur gjurmët e ish-shëtitores së dikurshme të shtruar me tulla ngjyrë vishnjë. Disa pallate janë ndërtuar në brezin e parë të detit duke zvogëluar dukshëm sipërfaqen e rërës, ndërsa në në disa segmente është zhdukur përfundimisht brezi i rërës. Ndërtimet e para në rërë kanë nisur në vitet 1998 dhe që nga ajo kohë pallatet, hotelet, restorantet dhe ndërtimet e ndryshme kanë ardhur duke zvogëluar vit pa viti sipërfaqen e rërës.
Realisht kjo shëtitore që në kohën e investimit kërkonte të mbështeste dhe të legalizonte në mënyrë të jashtëligjshme të gjitha ndërtimet në breg të detit, ndërsa tani edhe ajo pjesë e mbetur e rërës është betonizuar. Në vitin 2004 Bashkia e Durrësit vendosi të shpenzojë miliona lekë për të ndërtuar atë që ky institucion e cilësoi si shëtitore bregdetare. Madje krerë të bashkisë e veçuan si arritje për t’i zënë sytë pjesës qytetare, e cila vërente se si po u pushtohej rëra. Disa kantiere ndërtimi u rrethuan me rrjeta, mure e llamarina për të penguar pamjen, ndërsa lartësimi i objekteve në rërë ka shkaktuar reagime të forta ndër qytetarë. Tashmë në Plazh nuk gjenden më qytetarë, të cilët të thonë se çfarë realisht po ndodh në këtë pjesë të bregdetit ngase ata janë ndeshur edhe me veprime të dhunshme. Pallatet e hotelet në këtë pjesë të bregdetit kanë bërë që pushuesit vendas dhe ata nga Kosova e Maqedonia të ikin nga bregdeti i Durrësit për t’u vendosur në bregdetin e Golemit apo edhe në vende të tjera, në Jug. Tani nga rruga Ura Dajlanit-Plepa deri në brezin e rërës janë ndërtuar disa radhë pallatesh e lokale të ndryshme pa ndonjë projekt urbanistik. Në këtë pjesë të bregdetit nuk ka asnjë lulishte, park lojërash apo shëtitore bregdetare.
Pastrimi i plazhit
Në prag të fillimit me kapacitet të plotë të sezonit turistik veror, nuk ka nisur ende procesi i plugimit dhe dezinfektimit e rërës që pritet t'i mundësojë plazhit kushte pastërtie. Sipërfaqja e plazhit që i nënshtrohet këtij plugimi arrin në 10 ha. Pushuesit e parë bëjnë apel për më shumë vëmendje në drejtim të pastërtisë dhe higjienës, si kushte parësore për të mikpritur pushuesit. Jashtë vëmendjes edhe këtë vit nuk mbeten si probleme parësore mungesa e dusheve dhe banjave publike për të cilat nuk është bërë asgjë. Në këtë fillim viti bashkia e Durrësit premtoi por ende nuk ka vënë në dispozicion të tyre asnjë dush apo banjë publike ndonëse pak ditë më pas numri i pushuesve arrin në 10 mijë. Pronarët e lokaleve shprehen se mungesa e ujit të pijshëm, e kanalizimeve, e banjave dhe dusheve publikë ka sjellë mjaft pasoja në shërbimin që u kërkohet nga klientët, duke ndikuar edhe në të ardhurat e tyre. Një prej pronarëve të lokaleve buzë detit thotë se një vit më parë vetëm furnizimi me ujë të pijshëm dhe e kanalizimeve të cilat i ka zëvendësuar me shërbimin e autobotit i ka kushtuar më shumë se 6 mijë euro. Bashkia e Durrësit duhet të ndërhyjë urgjentisht nëse dëshiron që këto probleme të mbartura në vite të zgjidhen. “Nëse flitet për turizëm edhe investimet duhet të prekin pikat më të nxehta” apelojnë biznesmenët të cilët investojnë në sektorin e turizmit, me miliona euro çdo vit. Koshat për mbledhjen e plehrave mungojnë përgjatë gjithë vijës bregdetare ndërsa një problem jo i vogël janë edhe situata e krijuar nga kanalizimet të cilat shpërthejnë herë pas here, duke ndotur blloqet e pallateve.
Larmia e çmimeve
Në plazh ka kafene që tregtojnë kafe nga 40 lekë. Por fare pranë këtij lokali gjen një tjetër me çmime 60-70 lekë apo 100-130 lekë. Kjo kategori çmimesh varion nga menaxhimi i pronarëve ose nga shërbimi i ofruar. Një shishe birrë varion nga 100 – 250 lekë, por edhe birrat normale që më parë kanë pasur çmime 100 lekë kanë pësuar një rritje prej 50 lekësh në shumë prej lokaleve. Po kështu edhe pijet e vendit: konjak, fërnet që më parë tregtoheshin me 50 lekë, tashmë kanë filluar të kenë një rritje nga 20 lekë, ndërkohë që pijet e tjetra variojnë sipas cilësisë por kryesisht kanë një çmim 200-250 lekë.
Peshku në restorante
Çmimet në plazhin e Durrësit variojnë. Gjithsesi këtë vit, të paktën për muajin maj, rezulton që të ketë një ngritje të çmimeve krahasuar me një vit më parë për disa përbërës të kuzhinës bregdetare. Kështu një pjatë me merluc të freskët, barbun etj kushton 600 lekë krahasuar me 500 lekë që ishin vjet, teksa për kocën e levrekun çmimi është sipas cilësisë. Zakonisht këto janë çmimet e lokaleve, por ka edhe restorante me prodhime deti ku mund të konsumosh peshk të freskët me çmime më të ulëta, për shkak se pronarët kanë anije dhe e gjuajnë vetë peshkun duke siguruar edhe klientë më të shumtë. Durrësi ka dhe një potencial të madh të flotës së peshkimit që është një ndër furnizueset e tregut me peshk të freskët. Në bankinat e portit ndodhen rreth 100 motopeshkatore, gjysma e të cilave kur është kohë e mirë dalin rregullisht për gjueti dhe nga kjo Durrësi është një ndër qytetet e privilegjuara për prodhime deti të freskëta, duke pasur si rezervë edhe prodhimet e lagunave dhe të rezervateve në bregdet që janë një furnizues i përditshëm, por me peshk më pak cilësor se peshku i thellësive. Në këtë treg gjithsecili mund të kënaqë shijet e veta me llojin dhe çmimin që dëshiron.
Trafiku në kaos
Pushuesit që mbërrijnë çdo ditë në plazhin e Durrësit janë të detyruar të vijnë përqark rrugëve për më shumë se një orë për të siguruar një vend parkimi të makinës së tyre, kuptohet gjithmonë me pagesë, sepse parkim të lirë nuk ka. E gjithë rruga nacionale në të cilën lejohet parkimi në të dy krahët është e zënë nga privatët të cilët kanë aktivitetet e tyre ndanë rrugës, të cilët për një vend parkimi deri në drekë kërkojnë 300 lekë të reja ndërsa deri në mbrëmje 500 lekë të reja. Në rrugët dytësore është tmerr i vërtetë, mund të futesh për të bërë një xhiro nëse do të gjesh vend parkimi, por duhet të bësh durim me orë të tera për të dalë prej andej Ndërsa në rrugën nacionale parkimet janë zënë në mënyrë abuzive me karroca, karrige dhe gjithfarë mjetesh rastësore, në ato dytësore ka kaos. Asnjë strukturë, as policia rrugore dhe as ajo bashkiake nuk kanë ndërhyrë për disiplinimin e kësaj rrëmuje. Për më tepër që është e pamundur sepse makinat në një vend do parkohen dhe në mungesë të tyre do të ndalojnë mbi trotuare apo ku të mundin.
Atmosferë krize
Atmosfera e krizës ekonomike s’ka si të mos ndjehet edhe në këtë sektor. Vështirë se këtë vit biznesi në plazhin e Durrësit do të arrijë të jetë në të njëjtin nivel të ardhurash dhe fitimesh si një vit më parë. Çmimet janë rritur nga 20 deri në 30% për të gjitha shërbimet dhe numri i pushuesve është më i vogël se parashikimet, kjo nga numri i pakët i prenotimeve. Këta të fundit këtë janë më të varfër, pse jo edhe më të kursyer në shpenzimet që kryejnë. Sakaq për herë të parë këtë vit hotelet ngrenë si shqetësim mungesën e klientelës për arsye se pushuesit zgjedhin të kalojnë pushimet në banesa private ku çmimet janë 50% më të ulëta.
Kur flasim për turizmin në Durrës, nënkuptojmë një industri të madhe e cila është konsoliduar në vendet e rajonit ndërsa në vendin tonë, rrjedha e kësaj industrie të madhe është jo pak “spontane” e nisur më shumë nga iniciativa e lirë private. Privatët në dekadën e fundit kanë investuar më shumë se 500 milionë dollarë, në këtë fushë, të dhëna këto që vijnë me përafërsi nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Durrës. Por kjo industri e madhe ka një jetëgjatësi prej 60 ditësh në zonën e Durrësit dhe shkaqet janë të shumta. Shkaku kryesor është mungesa e investimeve dhe marrja e masave në kohë, nga institucionet vendore, ndërsa të ardhurat e turizmit vetëm për vitin që shkoi janë 115 milionë euro për Durrësin. Një ndër shkaqet e tjerë dhe jo pak i rëndësishëm është edhe mungesa e marketingut të këtij tregu turistik, dhe ofertave. Pavarësisht se në mënyrë individuale, nga ana e këtyre subjekteve bëhet ofertë turistike , sërish ky mbetet një prej problemeve kryesorë, kjo për faktin se një turist i huaj, nuk gjen të dhëna mbi atë çfarë ofron qarku i Durrësit aktualisht.
Paketat turistike ditore
Në Këshillin e Qarkut të Durrësit është programuar një paketë turistike ditore në të cilën nëpërmjet agjencive dhe operatorëve turistike një vizitori do t'i mundësohet një vizitë në të gjithë qarkun duke filluar nga qyteti i Durrësit në atë të Krujës dhe në zonën më veriore të komunës së Ishmit në të cilën ndodhet edhe kepi i Rodonit me vlera të mëdha natyrore historike. Synimi është përgatitja e paketave turistike ditore dhe javore me operatorë turistikë me qëllim që turisti që mbërrin në Durrës, të shkojë edhe në Krujë të shikojë edhe turizmin balnear, arkeologjik dhe historik, me qëllim që vitin tjetër të kthehet sërish për pushime.
Vlerat e Durrësit për turizmin
Sipas statistikave, vitin e kaluar në Durrës pushuan rrethi 1.2 milionë turistë, ndërkohë që pritet që këtë vit ky numër të jetë në rritje. Bregdeti durrsak është i karakterizuar nga një bukuri plot variacione. Plazhet ranore dhe ato shkëmbore janë të alternuara dhe kushdo mund të zgjedhe sipas dëshirës. Këto brigje dhe gjire të shumta të mbrojtura nga era i kanë dhënë Durrësit një pozitë gjeografike mjaft të lakmueshme që është shfrytëzuar që nga lashtësia duke e shndërruar Durrësin në kryeurën ballkanike për vendet e perëndimit evropian. Arkeologu Evans duke pasur parasysh këtë pozicion të këtij qyteti të veçantë nga ana tregtare në antikitet ka shkruar se Durrësi ka luajtur ndaj bregut italian një rol të rëndësishëm ashtu si Nju Jorku i sotëm ndaj Liverpulit, duke qenë një nga "ambiciet e Evropës Latine", "nxitje e përhershme e botës perëndimore".
Në Durrës operojnë 2470 subjekte në fushën e turizmit, të dhëna këto që vijnë nëpërmjet drejtorisë së Tatim Taksave në Durrës. 500 prej këtyre subjekteve i përkasin hotelerisë me rreth 7200 shtretër. Të ardhurat që i shkojnë shtetit nga kjo industri e madhe llogariten për vitin 2011 në 114 milionë euro, në Drejtorinë rajonale të Tatim Taksave. Sipas të dhënave të Drejtorisë Rajonale të Tatimeve, bëhet me dije se numri mesatar i shtretërve në zonën turistike për akomodimin e turistëve është rreth 16.500 shtretër. Kapaciteti shfrytëzimit të shtretërve (referuar sektorit te verifikimit në terren), ka rezultuar rreth 50 % e kapacitetit akomodues.
Numri mesatar i ditëve turistike për turistët akomodues në Durrës është rreth 60 ditë. Kosto mesatare për ditë shtrati turisti (sipas sektorit të verifikimit) është mesatarisht 25 euro/turist.
GENC ALIZOTI
Bashkia refuzon zgjidhjen e problemeve
Prefekti i Qarkut të Durrësit, Genc Alizoti, ka renditur të gjitha problemet e sektorit të turizmit, duke nënvizuar pushtimin e të gjitha hapësirave publike të rërës në plazh, mosfunksionimin e rojeve dhe të kullave të vrojtimit, sinjalistikës rrugore, etj. Alizoti ka thënë se bashkia e Durrësit vazhdon të mbajë qëndrim mospërfillës duke bërë që dhjetëra persona të humbin jetën në det ndërkohë që një pjesë e këtyre aksidenteve mund të shmangeshin nëse bashkia vendoste rojet bregdetare.
“Plazhi është pa kulla vrojtimi, pa banja dhe dushe publikë, mungon tërësisht partneriteti biznes privat-bashki, dhe për më tepër që mungon tërësisht angazhimi i bashkisë në zgjidhjen e detyrave të saj funksionale” nënvizoi prefekti. “Kështu nuk ka turizëm; bashkia ka refuzuar të jetë pjesë e zgjidhjes së problemeve ndërsa plazhet private dhe rëra e bregdetit administrohen sikur të jenë prona të subjekteve politike”.