Bilanci i llogarisë korente, që mat hyrjet dhe dalët e valutës nga vendi, rezultoi pozitiv për të tretin vit radhazi në tremujorin e tretë të vitit.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për tremujorin e tretë 2025 bilanci i llogarisë korente ishte pozitiv në vlerën e 658 milionë eurove. Suficiti i llogarisë korente shënoi një rritje të fortë me 90% (rreth 312 milionë euro) krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Suficiti i tremujorit të tretë solli edhe daljen e përkohshme të ekonomisë shqiptare nga pozicioni i jashtëm negativ. Për të gjithë 9-mujorin e parë, bilanci i llogarisë korrente ishte pozitiv në vlerën e 51 milionë eurove, ndërkohë që një vit më parë kishte shënuar një deficit në vlerën e 233 milionë eurove.
Kjo është hera e parë që ekonomia shqiptare shënon një bilanc të jashtë pozitiv për 9-mujorin. Një bilanc i tillë ishte shënuar paraprakisht në vitin 2023, por u korrigjua me rishikimin e mëvonshëm të të dhënave nga Banka e Shqipërisë.
Kontributin kryesor në suficitin e tremujorit të tretë edhe këtë vit e ka dhënë turizmi.
Të ardhurat në zërin e udhëtimeve për tremujorin e tretë shënuan një vlerë rekord prej 2.3 miliardë eurosh, në rritje me 21.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Ndërsa të ardhurat neto, duke zbritur flukset dalëse, shënuan gjithashtu vlerën rekord të 1.3 miliardë eurove, në rritje me 28% krahasuar me vitin e kaluar.
Për të gjithë 9-mujorin 2025, të ardhurat neto nga turizmi arritën në 2.1 miliardë euro, në rritje vjetore me 19.6%.
Turizmi vazhdon të jetë kontribuuesi kryesor në zërin e të ardhurave në bilancin e pagesave të vendit. Madje, këtë vit, rritja e turizmit në statistikat e bilancit të pagesave rezulton më e mirë se vitin e kaluar.
Përveç turizmit, në përgjithësi sektori i shërbimeve vazhdon të japë një kontribut të lartë në rritjen e eksporteve të vendit.
Sipas Bankës së Shqipërisë, në total sektori i shërbimeve realizoi një bilanc neto në vlerën e gati 1.9 miliardë eurove për tremujorin e tretë, me një rritje prej 26.7% krahasuar me një vit më parë.
Për të gjithë 9-mujorin, shërbimet sollën të ardhura neto në ekonomi në vlerën e pothuajse 3.5 miliardë eurove, në rritje me 16.4% krahasuar me një vit më parë.
Kontribut pozitiv në bilancin e llogarisë korente vazhdojnë të japin edhe remitancat. Për 9-mujorin, dërgesat e emigrantëve arritën vlerën e 817 milionë eurove, në rritje me 5.8% krahasuar me një vit më parë. Valët e reja të emigrimit të shqiptarëve në vitet e fundit kanë ringritur remitancat, duke ndikuar pozitivisht bilancin e llogarisë korente të vendit.
Ndërkohë që bilanci i llogarisë korente është përmirësuar falë efektit pozitiv të shërbimeve dhe remitancave, bilanci tregtar në mallra vazhdon të përkeqësohet.
Për tremujorin e tretë, deficiti tregtar në mallra arriti në 1.61 miliardë euro, në rritje me 10.9% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Për të gjithë 9-mujorin, deficiti arriti në 4.37 miliardë euro, 7.9% më shumë krahasuar me një vit më parë./ Monitor





