DURRES, 14 maj 2013– Strategjia për marketimin kulturor është një ide që Bashkimi Evropian po e promovon fuqishëm në vendet që synojnë antarësimin në të, po ndërsa zona turistike të mëdha, si Durrësi ende nuk e kanë një dokument të kësaj natyre, në Juglindje të Shqipërisë situata është e ndryshme. Me një dokument strategjik të marketimit kulturor dhe plan veprimi, Voskopoja dhe Tushemishti kanë ç’të ofrojnë për turistët vendas dhe të huaj, duke nxitur një turizëm gjithnjë e më cilësor përmes shpalosjes së vlerave dhe pasurive të padiskutueshme të trashëgimisë kulturore, të paevidentuara deri tani.

E përfshirë në projektin “Fuqizimi i grave në zonat turistike nëpërmjet zhvillimit të produkteve artizanale”,  mbështetur nga Bashkimi Evropian përmes programit IPA, që nxit Bashkëpunimin Ndërkufitar Shqipëri – Maqedoni, zona ndërkufitare mes Korçës dhe Strugës, ofron një njohje dhe informacion më të mirë mbi zonën, historinë, natyrën, gastronominë, kulturën dhe të veçantat e saj. Pas hartimit të këtij dokumenti të rëndësishëm dhe plan veprimit, pritet që gratë dhe aktorët lokalë, përfshirë pushtetin vendor, operatorët turistikë dhe biznesin,- të jenë aktivë, për krijimin e një imazhi dhe shijeje tipike shqiptare për këtë zonë.

Ky dokument i miratuar nga këshillat komunalë të Voskopojës dhe Buçimasit, këtë fillimviti, ka për qëllim të zgjojë interesin tek turistët për zonën dhe trashëgiminë kulturore të saj, duke çuar në rritjen e numrit të vizitorëve dhe kthimin e saj në një destinacion turistik të dëshirueshëm dhe mikpritës. Krahas vlerave kulturore dhe natyrore ky destinacion do të ofrojë dhe traditën nga duart e arta të grave e vajzave të zonës. Me punimet e tyre, ato ushqejnë dhe reflektojnë traditën, fuqizojnë veten dhe çojnë në zhvillimin ekonomik të rajonit.

Një nga qëllimet e projektit është nxitja e institucioneve lokale për fuqizimin e kapaciteteve të tyre në fushën e menaxhimit të kulturës dhe  trashëgimisë kulturore, rritjes së rolit të traditës dhe mbështetjes së grave në funksion të kultivimit të identitetit historiko-kulturor dhe gastronomik. Ky qëllim i shërben promovimit të kësaj zone që ofron me bujari, por deri më sot në mënyrë të paorganizuar resurset e veta, shpesh të panjohura nga turistët e huaj dhe vendas.

Kultura e pasur, unike dhe e njohur e këtyre zonave ofron mundësi të mëdha për të transformuar pozitivisht rajonin, duke shkrirë kulturën, me zhvillimin ekonomik, edukimin, artizanatin, si dhe çdo element të jetës së përditshme të banorëve të tij.

Rajoni i Korçës ka një trashëgimi kulturore shumë të pasur dhe autentike, që nderthur veçori të periudhave të ndryshme historike  duke nisur nga ajo greko-romake. Trashëgimia kulturore e rajonit vjen e shfaqet bukur në formën materiale dhe shpirtërore përmes gjuhës, zakoneve, folklorit të pasur, elementëve etnografikë, si ornamentet dhe stili i kostumeve popullore, vallet, tekstilet, zejet etj.

Pavarësisht kulturës dhe trashëgimisë së pasur kulturore, këto zona synohet të përmirësojnë ndër të tjera dhe pozicionin e tyre në bashkëpunimin ndërkufitar dhe atë rajonal. Duke përmirësuar dhe forcuar imazhin e rajonit përmes marketingut kulturor, njerëzit do të bëhen më të vetëdijshëm dhe do të tentojnë të përmirësojnë lidhjen e tyre me kulturën dhe trashëgiminë e saj. 

Synimet e Dokumentit Strategjik:

– Përmirësimi i imazhit të zonës në nivel rajonal dhe ndërkombëtar përmes promovimit të eventeve të ndryshme,    rritjes së nivelit të njohjes dhe admirimit të burimeve kulturore.  
– Rritja e numrit të turistëve vendas dhe të huaj
– Përmirësimi i turizmit sezonal dhe rajonal.

– Rritja e mundësive të punësimit në sektorin turistik dhe kulturor.

– Rritja e numrit të grave të përfshira në aktivitete promovuese  dhe fitimprurëse që çojnë në fuqizimin real të tyre.

– Rritja e përfitimeve ekonomike që gjenerohen nga turizmi në zonë.

/v.q. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/