TIRANË- Nënkryetari i parlamentit, deputeti i PD-së Ardian Turku, nuk i ushqen vetes ndjenjën e përjetshmërisë kur bëhet fjalë për vijimësinë e mandatit të deputetit edhe në zgjedhjet e 2013-ës. Sepse ai mendon se jeta ka plot gjëra të bukura ku mund të ndjehesh shumë mirë dhe i vlefshëm, për të mos thënë që ka raste që edhe pse deputet, nuk ndjehet dhe aq mirë. 

Ndaj në këtë intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Ardian Turku shprehet hapur se lista e deputetëve të PD-së ka nevojë për rinovim në 2013-ën, me besimin se strukturat përgjegjëse partiake kanë përgjegjësinë t’i shohin rast pas rasti. Nënkryetari i Kuvendit flet për aleancat e reja, duke thënë se nuk duhet një koalicion parazgjedhor me LSI-në dhe se fitorja e PD-së duhet të varet nga forca e saj dhe arritjet qeverisëse.

Deputeti i qarkut të Elbasanit ndalet edhe te bashkëqeverisja me aleatët, teksa shprehet se nuk duhet të ketë qeveri të vogla brenda së madhes. Z.Turku analizon retorikat nacionaliste duke mbështetur guximin e kryeministrit Sali Berisha, ndërsa është i bindur se çështja çame do shumë kohë që të marrë zgjidhjen e duhur.

Sipas tij, as votimi i rezolutës çame në Kuvend nuk ngre asnjë peshë realisht në zgjidhjen e çështjes. Deputeti i PD-së bën përgjegjëse opozitën e majtë të Edi Ramës për mosmarrjen e statusit, ndërsa kujton një shprehje të Elbasanit se “I zoti e jep, tellalli s’e shet”.