Bashkëjetuan një vit. Gjykata e Tiranës, urdhër mbrojtje për 42-vjeçaren. “Nuk të lë. Do jesh e imja. Nëse lidhesh, unë të vras”.
Një 42-vjeçare ka kërkuar urdhër mbrojtje në Gjykatën e Tiranës nga ish-bashkëjetuesi i saj turk, që gjatë raportit me të kishte tri martesa paralele në Holandë dhe Turqi. E dëmtuara me iniciale S. M. ka pretenduar se ishte kërcënuar me jetë nga ish-partneri i saj, Akdogan G. 47 vjeç, me të cilin kishte pasur një raport njëvjeçar.
Në gjykatë 42- vjeçarja është shprehur se turku i kërkonte asaj të rindërtonin marrëdhënien e tyre dhe se do ta vriste nëse ajo lidhej me njeri tjetër. Episodi i fundit para se e dëmtuara të kërkonte mbrojtje është shënuar në qershor 2013. Sipas pretendimeve të S. M., shtetasi turk e ka ndaluar atë në rrugë, ku e ka kërcënuar me jetë, i ka thyer telefonin dhe e ka tërhequr zvarrë.
Pak ditë më parë, Gjykata e Tiranës lëshoi urdhër mbrojtje për 42-vjeçaren. Sipas këtij vendimi, Akdogan G. nuk duhet ta kërcënojë, kontaktojë apo t’i afrohet më shumë se 100 metra ish-bashkëjetueses së tij.
RREFIMI
Në vendimin e Gjykatës së Tiranës zbardhet dëshmia e së dëmtuarës në sallën e gjyqit. Sipas saj, marrëdhënia e saj me shtetasin turk ka marrë fund kur ajo është vënë në dijeni të tri martesave paralele të tij në Holandë e Turqi. “Kam pasur një marrëdhënie bashkëjetese me të paditurin rreth një vit, 2011-2012. Në qershor të 2012- s e shkëputa marrëdhënien pasi mora vesh se nuk ishte personi i duhur. Paralel me mua kishte edhe tri martesa të tjera, dy në Holandë dhe një në Turqi.
Ai u largua atë kohë pasi u fut në burg në Holandë dhe kur erdhi në Shqipëri, fundi i gushtit, shtatori i vitit 2012, e takova për njerzillëk. Ai insistonte: ‘Nuk të lë. Do jesh e imja. Në qoftë se t’i lidhesh, unë do të të vras’. Fillimisht m’i thoshte gojarisht. Pastaj, kur largohej, nëpërmjet telefonit dhe e-mail-it”, citohej dëshmia e S. M. Në lidhje me episodin e qershorit 42- vjeçarja rrëfente: “Më erdhi nga prapa dhe më thotë: ‘Pse bëre denoncim? Unë do të të vras’. Unë nxora celularin të denoncoja në polici. Ai ma kapi, ma theu celularin dhe më tërhoqi zvarrë përtokë. Kur u grumbulluan njerëz të më ndihmojnë, ai u largua me vrap”, citohej dëshmia në vendimin e gjykatës.
/panorama/





