Nga Andi Bushati
Edi Rama ka përmbyllur me turneun e Prishtinës paradën e dyshimeve që po ngre prej një jave për efikasitetin, ndershmërinë dhe paanësinë e drejtësisë ndërkombëtare.
Duke artikuluar sot pikpyetje për efikasitetin e saj në rastet e Haradinajt apo Limajt, duke luajtur rolin e vëllait që jeton në shtëpi tjetër, por që ka vënë re “diçka të rëndë dhe të padrejtë”, duke denoncuar njoftimin e Gjykatës Speciale si fletrufe të ngjashme me ato të revolucionit kulturor, kryeministri shqiptar ka furnizuar me barut të gjithë armatimet që godasin mundësinë e marrjes së Hashim Thaçit apo Kadri Veselit si të pandehur.
Deri këtu nuk kemi të bëjmë me ndonjë mëkat.
Çdo mendje e ftohtë e shikon me dyshim njoftimin e Hagës të bërë tre ditë përpara samitit që do të zhvillohej në shtëpinë e Bardhë, çdo kush mund të ketë të drejtë të vëzhgojë pas tij një prapavijë politike, sejcili është i lirë të ngrejë dyshime për pavarësinë e një tribunali të votuar me këmbënguljen e viktimave të tij të mundshme.
Pra deri këtu Rama mund të jetë OK.
Edhe si qytetar edhe si kryeministër i një vendi askush nuk mund ti’a mohojë atij aludimet për “një drejtësi të stërzgjatur që nuk është më drejtësi”, për një sistem të pakundondodhur në botë që po gjykon ish komandantët “me gjashtë shkallë”, për dështimin me radhë të gjykatave të OKB-së, Euleksit, atyre vendase me mbikqyrje të huaj, etj.
Por në përfundim të gjithë kësaj fushate, pasi ke dëgjuar të gjitha këto akuza të Edi Ramës për drejtësinë që i ka lënë fëmijët pre të ankthit, nëse i kanë baballarët heronj apo kriminelë, ke të drejtë të ngresh një pyetje:
A mund të provohet e gabueshme, e padrejtë, e pandershme, asimetrike dhe e manipuluar një arkitekturë drejtësie e ngritur nga ndërkombëtarët? A mund të rezultojë dështim një eksperiment “sui generis” i implantuar në një demokraci foshnjore si Kosova?
Natyrisht, kryeministri shqiptar bën mirë që na fton të ushtrohemi në këto dilema në rastin e Kosovës. Por ky, Rama i Prishtinës, është tejet hipokrit kur e krahasojmë me alter egon e tij të Tiranës.
Këtej nga anët tona, që prej vitit 2015, ai anatemon ç’do kënd që shpreh rezerva apo ngre dyshime për drejtësinë që po vënë në zbatim ndërkombëtarët.
I njëjti njeri, që deklaron publikisht se firmos në letër të bardhë mbi çdo draft me të cilin bien dakord të huajt, që etiketon si të frikësuar nga burgu cilindo që s’pajtohet me asimetrinë e vendimeve të vettingut, që përqesh të gjithë ata që revoltohen për emërimet skandaloze në drejtësinë e re, nuk mund të ketë dy standarte kaq kundërthënëse.
Natyrisht, pavarësisht qëllimeve të mbrapshta që ka për ti dalë në mbrojtje Thçit, ndonëse po bën përpjekjen e fundit për të mbajtur në këmbë planin e përbashkët me Vuçiçin, duhet thënë se qasja dyshuese e Ramës ndaj drejtësisë që bëjnë ndërkombëtarët, në këtë rast është më e drejtë.
Ajo rrëzon njëherë e mirë mitin e ngritur gjatë kohës së qeverisjes së tij, se reforma jonë në drejtësi është e përkryer, vetëm se e kanë dizenjuar dhe implantuar disa zyrtarë perndimorë.
Pra, në fund të turneut të tij hipokrit në Prishtinë, pa marë parasysh qëllimet reale që pati, duke lënë mënjanë interesat e veta politike të momentit, duhet thënë se Rama na e bëri një të mirë: ai filloi rrënimin e një bestydnie që e ka kultivuar vetë, asaj të një drejtësie që duhet ti bindemi kokëulur, sa herë që ajo ka vulën e ndërkombëtarëve. Ai na ftoi të rinisim të arsyetojmë me mendje të hapur, rast pas rasti dhe jo nën dikatatin e pranimit të gjithçkaje, pasi për të kanë dhënë bekimin të huajt.
/Lapsi.al