Të premten e 30 marsit, në Tiranë u organizua Turneu mbarëkombëtar i mundjes së lirë për të rinj. Teuta e Durrësit favorite kryesore për fitimin e këtij turneu, mori pjesë me dy ekipe A dhe B. Ky është një tregues pozitiv, i evidentimit të vlerave cilësore të këtij sporti në Durrës ku dyshja Braho –Kurti punojnë në mënyrë të vazhdueshme. Teuta A për përbëhej nga mundësit Haxhi Sina pesha 55 kg, Franc Azuni 60 kg (vendi i tretë), Marvin Subashi 66 kg (vendi i dytë), Marjus Malko 74 kg, Renato Hoxha 84 kg, Denis Dena pesha 84 kg (vendi i tretë), Marsid Beqja dhe Altin Hyka 120 kg.

Ndërsa mundësit Xhesjan Menga (vendi i dytë), Ardit Loga (vendi i dytë 74 kg), Klevis Daci dhe Vilson Memini, konkurruan me siglën e Teutës B. Natyrisht konkurrenca më e plotë dhe me synime për të fituar trofeun, u bë nga ekipi i Teutës A. “E kishim vlerësuar këtë aktivitetet, komenton faktin trajneri i ekipit Altin Kurti dhe shprehëm ambicie për ta fituar.

Por mundësi i talentuar Marius Malko, i menduar nga ana e jonë për të zënë vendin e parë, gabon në fazën kualifikuese dhe nuk i jep ekipit asnjë pikë. Kjo ishte arsyeja që ekipi i Kamzës të na kalojë vetëm për 1 pikë, duke u vendosur në vendin e dytë. Por kjo nuk ia zbeh vlerat prezantimit me nivel dhe kërkesa cilësore të mundësve tanë të rinj.”

Ndeshja më e bukur e turneut, u vlerësua ajo ndërmjet Marvin Subashit të Teutës dhe Vilson Ndregjonit të Kamzës, që u fitua me pikë nga ky i fundit. Teuta A në fund të aktivitetit krahas vendit të dytë, meritoi edhe dy tituj të vendeve të parë.

Ata janë kampioni i vendit në këtë kategori përfaqësimi Haxhi Sina në peshën 55 kg dhe Altin Hyka në 120 kilogram.