Rruga që lidh aksin rrugor “Aleksandër Goga” me bulevardin “Dyrrah” është në errësirë të plotë dhe e mbuluar nga plehrat.

Bëhet fjalë për hapësirën pas Pallatit të Kulturës dhe shumë pranë dy prej objekteve arkeologjike mjaft të rëndësishme të Durrësit, Rotondës dhe Termave romake.

Siç shihet nga fotot që DurrësLajm bëri vetëm pak momente më parë, kjo rrugë dytësore është totalisht në errësirë, ndërkohë që pjesë të konsiderueshme të saj janë të mbuluara nga mbeturinat që derdhen nga kazanët e vendosur nga ndërmarrja e Pastrim Gjelbërimit të qytetit.

Kutitë e kartonit, plasmasët dhe mbeturinat urbane derdhen në mes të rrugës, të hedhura aty ndoshta nga bizneset që ushtrojnë aktivitetin në këtë zonë.

Në një nga kazanët e mbeturinave, si për ironi të fatit, dikush ka shkruar emrin e kryeministrit Edi Rama.

Është për të ardhur keq që një hapësirë mjaft e frekuentuar nga turistët e huaj, që e kanë ndalesë të përhershme Rotondën dhe Termat romake, të lihet në këtë gjendje.

E ndërsa për hedhjen vend e pa vend të mbeturinave urbane gishti mund të drejtohet tek papërgjegjshmëria e bizneseve apo qytetarëve, mungesa e ndriçimit fajëson organet e pushtetit vendor.

E ndodhur në qendër të Durrësit, rruga në fjalë të kujton ndonjë aks në periferi të qytetit, ndërkohë që ndodhet vetëm 100 metra larg bashkisë.

Në një kohë kur harxhohen 6 milion euro për një projekt si Veliera, lihen totalisht të degraduara hapësira publike në qendër të qytetit.  

M.B.