Sot Durrësi, por dhe e gjithë Shqipëria, kujtuan 2-vjetorin e tërmetit të 26 nëntorit 2019.

Durrësi ishte bashkia më e dëmtuar dhe sot thuajse të gjitha institucionet gjetën pak minuta kohë për të kujtuar në rrjete sociale këtë datë të trishtë, viktimat e pafajshme dhe procesin e rindërtimit.

Thuajse të gjithë, përveç PD Durrës, deputetëve të saj dhe figurave kryesore ndër vite.

Nga një vëzhgim që “DurrësLajm” bëri në rrjetet sociale të deputetëve apo ish-deputetëve të Durrësit, faqen e PD-së lokale dhe nënkryetarëve të kësaj dege, asnjë rresht nuk ishte shkruar prej tyre për të kujtuar këtë datë, por edhe për të denoncuar problematikat e Rindërtimit në Durrës.

Përveç “betejës” Basha-Berisha, gjithçka tjetër duket e kotë për figurat kryesore të PD-së së Durrësit.

Tërmeti dhe mijëra qytetarë që presin rindërtimin e pallateve dhe banesave inviduale duket se janë “fshirë” për drejtuesit e PD-së lokale dhe deputetët Edi Paloka, Oerd Bylykbashi dhe Ferdinand Xhaferaj, që janë zgjedhur për të ngritur zërin e tyre në Kuvend për problemet e Durrësit.

Pas humbjes në zgjedhje, deputetët demokratë të Durrësit nxituan të denonconin shpërndarjen e parave të dëmshpërblimeve për tërmetin si shkakun e humbjes së rradhës në qytetin bregdetar.

Paratë e shpërndara nga qeveria duket se justifikonin humbjen e tyre në bashkinë më të dëmtuar nga tërmeti, ndërkohë që sot kur mund të bënin bilancin e procesit të rindërtimit në Durrës, të denonconin vonesat në derdhjen e bonusit të qirasë për rreth 3800 familje, rindërtimin e munguar të dhjetëra pallateve, mos riparimin dhe mos riforcimin e qindra prej tyre, ata zgjodhën të mos bënin atë për të cilën janë votuar nga demokratët e Durrësit: Të bëjnë opozitën e vërtetë dhe jo opozitën brenda vetes!

Krejt ndryshe nga 3 deputetët e Durrësit Paloka, Bylykbashi dhe Xhaferaj (që gjejnë kohë të shpërndajnë vetëm pjesëmarrjet e tyre në emisione televizive apo komisione parlamentare) kanë vepruar 2 deputetet e Krujës dhe Fushë-Krujës dhe kreu i partisë aleate PAA.

Merita Bakiu, Andia Ulliri dhe deputeti Agron Duka kanë bërë postime në rrjete sociale në lidhje me tërmetin e 2 viteve më parë. Ka qenë vetëm deputetja Bakiu që ka bërë një bilanc të dëmeve, që janë ende prezente në bashkinë e Krujës, ndërsa 400 familje vazhdojnë të mbeten pa shtëpi.

M.B.