Zyrtarët turq janë shprehur sot se një avion ushtarak rus ka shkelur hapësirën ajrore. Ankaraja ka thirrur ambasadorin rus, duke i shprehur atij shqetësimet për veprime të tilla, të cilat mund të sjellin acarime të mëtejshme në marrëdhëniet Turqi – Rusi.
Ministria e Jashtme e Turqisë ka njoftuar se avioni rus Su-34 ka cënuar hapësirën ajrore turke të premten, pavarësisht paralajmërimeve të shumta të dhëna në gjuhën ruse dhe angleze.
Tensionet janë të larta mes Ankarasë dhe Moskës që prej nëntorit, kur Turqia qëlloi dhe rrëzoi një avion rus që i kishte cënuar hëpësirën ajrore. Që prej përfshirjes së Rusisë në konfliktin e brendshëm në Siri në mbështetje të qeverisë së presidentit Bashar Al-Asad, inkursionet e avionëve ushtarakë rusë kanë krijuar problem në zonat kufitare, kryesisht pranë Turqisë.