Bombardimet ruse në Siri janë burim i mjerimit të sirianëve, ka deklaruar kancelarja gjermane Angela Merkel në Ankara, pas takimit me kryeministrin turk Ahmet Davutoglu. Rezoluta e Kombeve të Bashkuara, e miratuar në dhjetor të vitit 2015 nga Këshilli i Sigurimit, kërkon nga të gjitha palët të ndërpresin sulmet ndaj civilëve.
"Prandaj, Turqia dhe Gjermania do të marrin iniciativën në Nju Jork për të insistuar në implementimin e rezolutës. Ajo që po ndodh në kufi me Turqinë është tmerruese dhe frikshme, pasi situata me refugjatët është e rëndë," – kancelarja gjermane Merkel.
Kryeministri turk Davutoglu tha se rreth 30,000 sirianë, që kanë ikur nga ofensiva e qeverisë siriane dhe sulmet ajrore ruse në qytetin e Alepos, janë grumbulluar në kufi me Turqinë. Ai ka shtuar se sulmet ajrore ruse nuk duhet të tolerohen me idenë se Turqia do të pranojë refugjatë. Davutoglu ka thënë se Turqia dhe Gjermania janë pajtuar për një iniciativë të përbashkët diplomatike për të ndaluar ofensivën kundër Alepos.
Turqia, një shtet i rëndësishëm në rrugën e refugjatëve drejt Evropës, është në qendër të përpjekjeve diplomatike të Merkelit për të reduktuar numrin e refugjatëve që arrijnë në Gjermani.