Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan deklaroi mbrëmë se do të kërkojë takim me presidentin rus Vladimir Putin, pas incidentit në të cilin, sipas Ankarasë, një avion ushtarak rus Su-34 kishte shkelur hapësirën ajrore turke. “I thashë Ministrisë së Punëve të Jashtme ta përcjellë dëshirën time të takohem personalisht me zotin Putin, por ende nuk ka përgjigje të kësaj,” – ka deklaruar presidenti turk Erdogan para gazetarëve, teksa u nis për vizitë në Amerikën Latine.

Të dy presidentët, Erdogan dhe Putin, nuk janë takuar që pas rrëzimit të avionit ushtarak rus nga ana e gjuajtësve turq pranë kufirit të Turqisë me Sirinë, në nëntor të vitit të kaluar. Ai incident ishte arsye për krizën e madhe në marrëdhëniet bilaterale, e cila zgjat ende. “Përderisa shkelje të tilla, të drejtuara kah sovraniteti i Turqisë, vazhdojnë, Rusia do të duhet ta mbajë përgjegjësinë për pasojat,” – ka shtuar presidenti Erdogan.