Kryeministri turk Ahmet Davutoglu ka vizituar disa nga të plagosurit në sulmin vdekjeprurës të mbrëmjes së të dielës në Ankara, ku 37 persona u vranë dhe 15 të tjerë janë në gjendje kritike. Asnjë grup nuk e ka marrë përsipër përgjegjësinë, por kryeministri ka thënë se provat të bëjnë të mendosh për grupin separatist Partia Punëtore e Kurdistanit (PKK). Të hënën, Turqia ndërmori sulme ajrore kundër rebelëve kurdë në Irakun e veriut. Autoritetet po ashtu kanë arrestuar 15 persona në operacione kundër PKK dhe 50 të tjerë në zona të tjera të vendit.
Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan tha se ai do të ripërcaktojë terrorizmin për të përfshirë edhe ata që mbështesin aktet terroriste e duke mos u kufizuar vetëm tek personi që mban armën apo bombën. Ndërkohë, protestuesit kanë mbushur rrugët e Ankarasë të hënën duke demonstruar zemërimin e tyre ndaj qeverisë që ka dështuar t’i mbrojë ata nga ky sulm i fundit. Shpërthimi i të dielës është i dyti i regjistruar në një muaj në mes të kryeqytetit. Ky sulm ka ndezur më shumë frikën e një faze të re të rrezikshme në luftën e qeverisë me militantët kurdë, duke u shoqëruar me akoma më shumë dhunë, e nxitur kjo nga luftrat në Siri dhe Irak.