Një rrjet i madh spiunazhi që dyshohet se vepronte në Turqi me mbështetjen e shërbimeve të inteligjencës iraniane, është shkatërruar pas një operacioni të koordinuar në pesë qytete turke, me 6 persona të arrestuar dhe të dërguar në burg.

Në një operacion të koordinuar, individët u arrestuan me akuzën e “spiunazhit politik dhe ushtarak” për Iranin. Operacioni u krye nën drejtimin e Zyrës së Kryeprokurorit Publik të Stambollit dhe në bashkëpunim me Drejtorinë Antiterroriste të Stambollit dhe Shërbimin Kombëtar të Inteligjencës (MİT).

Sipas autoriteteve, të pandehurit – pesë turq dhe një shtetas iranian – mblodhën informacione mbi vendet strategjike në Turqi, duke përfshirë bazat ushtarake dhe zonat e rëndësishme, si dhe mbi pikat kritike jashtë vendit. Individët e arrestuar dyshohet se kanë pasur kontakte me anëtarë të Gardës Revolucionare, duke ofruar mbështetje dhe informacion.

Hetimi zbuloi se të dyshuarit ishin të përfshirë në aktivitete spiunazhi në baza ushtarake, të tilla si Baza Ajrore Incirlik në Adana, si dhe në operacione për transportimin e Mjeteve Ajrore Ushtarake pa pilot përmes Turqisë për përdorim operativ në vende të treta.

Informacioni që ata mblodhën iu kalua shërbimeve të inteligjencës iraniane.

Pas bastisjeve të koordinuara në Stamboll, Van, Samsun, Gjalova dhe Ankara, të dyshuarit u arrestuan dhe u dërguan në burg pas përfundimit të procedurave të marrjes në pyetje.

Të arrestuarit përfshijnë shtetasin iranian Askan Jalali dhe shtetasit turq Remzi Beyaz, Alican Koc, Erhan Ergelen, Taner Ozkan dhe Cemal Beyaz.