Rexhep Tajip Erdogan për shumë pak nuk arriti të siguronte mbi 50 përqindëshin e votave për të triumfuar në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale të mbajtur në Turqi të dielën, e tani fati i kombit vendoset në balotazh në 28 maj.

Blloku i Erdoganit ka fituar zgjedhjet parlamentare, duke çimentuar një mazhorancë të rehatshme në parlament. Presidenti që lufton për vijimësinë e pushtetit të tij rrëmbeu 49.5% të votave dhe 44.9 % i shkuan rivalit të vet të madh, Kemal Kilicdaroglu. Epërsia e Erdoganit nuk e zbrapsi këtë të fundit, i cili u shfaq sërish besimplotë përpara simpatizantëve të tij.

“Ne do ta fitojmë raundin e dytë. Këtë, le të dinë të gjithë”, tha Erdogan.

Pavarësisht entuziazmit të treguar, analistë të shumtë mendojnë se lideri opozitar do ta ketë më të vështirë tani betejën për të fituar raundin e dytë, pasi Erdogani pati një rezultat shumë më të mirë në këtë pjesë të parë të procesit nga sa kishin parashikuar sondazhet parazgjedhore të opinionit.

Zgjedhjet presidenciale konsiderohen ndër më të rëndësishmet në historinë e Turqisë me 85 milionë banorë, sepse mund t’i japin fund qeverisjes prej më shumë se dy dekadash të Erdoganit dhe do të nënkuptonin një ndryshim të thellë politik. Përmes amendamenteve kushtetuese, 69 vjeçari Erdogan ka marrë në dorë kompetenca mjaft të zgjeruara.

Përveç kësaj, Erdogan ka kontroll mbi institucionet turke në një kohë që personalitetet liberale në vend janë mënjanuar. Erdogan i ka mbijetuar një sërë skandalesh të korrupsionit të rrethit të tij dhe një përpjekjeje për grusht shtetit në vitin 2016. Ai gëzon sidomos mbështetjen e turqve konservatorë, që ndjeheshin të diskriminuar në një Turqi laike. Por popullariteti i tij ka rënë pas problemeve të mëdha të shkaktuara nga inflacioni.

Kilicdaroglu nga ana tjetër ka fituar zemrat e shumë turqve me premtimet se do ta drejtojë vendin me një kurs të ri, do të ripërtërijë demokracinë pas vitesh të shtypjes shtetërore të Erdoganit, do të kthehet tek një politikë e qartë ekonomike, do të përmirësojë marrëdhëniet me perëndimin dhe do të lironte mijëra të burgosur politikë.