ANAKARA, 10 mars 2013 – Ndërgjegjësimi publik dhe politik për riciklimin po rritet në Turqi ndërkohë që Ministria e Mjedisit dhe Urbanistikës bashkë me bashkitë promovojnë projekte mbi ripërdorimin e materialeve të mbetjeve dhe inkurajojnë ndryshimin e zakoneve të qytetarëve.
Zeki Terzioglu, kreu i Departamentit të Administrimit të Mbetjeve pranë Ministrisë së Mjedisit, tha se ministria po ndjek nga afër legjislacionin e BE-së.
“Po shkrijmë 12 rregullore në një, për të lehtësuar kuadrin ligjor në të mirë të sektorit privat që interesohet për riciklimin.
Udhëzojmë bashkitë të informojnë publikun mbi dobitë e riciklimit përmes konferencave dhe publikimeve”, tha Terzioglu për SETimes.
Në 2012, bashkitë zhvilluan projekte mbi rëndësinë e grumbullimit të mbetjeve të vajit të gatimit, duke rritur ndërgjegjësimin publik mbi rreziqet mjedisore të derdhjes së vajit në lavamanë.
Rreth 350.000 ton mbetje vaji vijnë nga 1.5 milion tonë vaj vegjetal gatimi që përdoret çdo vit dhe vetëm 10 për qind e sasisë grumbullohet.
“Unë dhe familja ime i kushtojmë interes të veçantë hedhjes së mbetjeve të vajit në shtëpi, i cili dëmton si sistemin e ujërave të zeza ashtu edhe cilësinë e ujit të pijshëm.
Kemi një fuçi në kuzhinë ku grumbullojmë vajin e mbetur të gatimit. Jam i kënaqur që bashkia, veçanërisht ajo ku jetojmë, na ndihmon dhe drejton për hedhjen e këtij vaji.
Kur telefonojmë numrin e caktuar për këtë qëllim, autoritetet vijnë shpejt për të marrë fuçinë", tha Secil Erturk nga Stambolli për SETimes.
Edhe ministria ka paraqitur një numër nismash të rëndësishme.
Në 2005 u vu në zbatim një rregullore mbi mbeturinat e ambalazheve për të forcuar bashkëpunimin me pikat e autorizuara të riciklimit, qytetarët, autoritetet vendore dhe prodhuesit e ambalazheve për të arritur qëllimet e riciklimit.
/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/
Shih linkun: http://setimes.com/cocoon/setimes/xhtml/sq/features/setimes/audio_story/2013/03/07/audio_story-04