Tensionet mes Greqisë dhe Turqisë nuk kanë fund. Një tjetër provokim është bërë nga pala turke, sipas mediave të Athinës. Kjo ka ndodhur një ditë më parë me avionin e ministrit të Jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias.
Sipas shtypit grek, ministri Dendias po udhëtonte me avion charter nga Iraku në Greqi. Sipas itinerarit, avioni do të kalonte përmes Turqisë për t’u ulur më pas në Athinë. Por në momentin që avioni i ministrit Dendias kërkoi leje për të kaluar në hapësirën ajrore të Turqisë, autoritetet turke refuzuan ta aprovonin menjëherë, duke bërë që charteri i Dendias të qëndronte në ajër për 20 minuta.
Transmetuesi grek ERT raportoi se avioni i ministrit të Jashtëm Nikos Dendias kishte njoftuar më herët palën turke për udhëtimin nga Bagdati drejt Athinës përmes Turqisë. Por, kur aeroplani ishte në hapësirën ajrore mes Irakut dhe Turqisë, pala turke nuk pranoi lejen e miratuar më parë.
Pas 20 minutash, ata dhanë aprovimin për të vazhduar fluturimin. Gjatë kësaj kohe, avioni me të cilin udhëtonte ministri Dendias ka bërë disa rrotullime në ajër deri sa pala turke të aprovonte lejen e fluturimit mbi hapësirën e saj ajrore