Turqia ka shpërndarë 36 ton ndihma ushqimore për njerëzit në nevojë në Nigeri nëpërmjet Autoritetit të Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD), në mbështetje të përpjekjeve të vazhdueshme humanitare në vend.
Ndihma, e dërguar si pjesë e një programi të kryer në koordinim me OKB-në, u shpërnda në Kampin e Personave të Zhvendosur Brenda Vendit Malkohi pranë Yolas, kryeqytetit të shtetit Adamawa.
Shumë prej atyre që jetojnë në kamp ikën nga shtëpitë e tyre për shkak të sulmeve të grupit terrorist Boko Haram dhe vazhdojnë të jetojnë në kushte të vështira.
Në ceremoninë e shpërndarjes së ndihmave morën pjesë ambasadori i Turqisë në Abuja, Mehmet Poroy, komisioneri për Çështjet Humanitare të Adamawa-s, Bello Hamman Diram, zyrtarja e Agjencisë Kombëtare të Menaxhimit të Emergjencave të Adamawa-s, Selen Laori, si dhe autoritete lokale dhe të ftuar.
Duke folur në këtë aktivitet, Poroy nënvizoi se Turqia është ndër vendet kryesore në ndihmën humanitare, duke thënë: “Këto përpjekje ndihme synojnë të lehtësojnë, qoftë edhe në një masë të vogël, vështirësitë me të cilat përballen njerëzit që përpiqen të mbijetojnë në kushte të vështira.”





