Durrës, 2 prill 2014 – Që para liberalizimit të vizave Turqia ishte shndërruar në një destinacion për të kaluar pushimet për pasanikët e rinj shqiptarë. Veçanërisht Antalia, Beleku, Kemeri dhe Alania ishin ndër më të preferuarat për turistët shqiptarë. Heqja e vizave nuk e dëmtoi këtë trend turistik, sepse agjensitë turistike shqiptare dhe homologët e tyre turq vendosën sistemin e transportit me avionë çarter, gjë që ulte shumë çmimin e paketave turistike në bregdetin turk.
Tashmë kahu i lëvizjes së turistëve po ndryshon. Operatorët turistikë turq po interesohen për tregun shqiptar si destinacion për turistët turq. Gokhan Ozgan, presidenti i Shoqatës së operatorëve turistikë të Turqisë, vizitoi Shqipërinë këto ditë. Ai, në takim që pati me përfaqësuesit e Agjencisë Kombëtare Shqiptare të Turizmit, konfirmoi këtë trend të ri, pra interesimin e turistëve turqë për të kaluar pushimet në Shqipëri. Ai gjithashtu diskutoi mundësinë e futjes së Durrësit dhe Sarandës në itinerarin e anijeve turistike kroçera, që prekin brigjet e Turqisë në turet e tyre në detit Adriatik, Jon dhe Mesdhe.
/gje.th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





