DURRËS, 20 mars 2014 –  Turqit e “Kurum”-it i rikthehen pas dy vjetësh transportit hekurudhor për skrapin e sjellë nga vendlindja në portin e Durrësit për metalurgjikun e Elbasanit, me hesape të leverdishme: treni kushton 60 për qind më lirë se automjetet.

Drejtori i përgjithshëm ekzekutiv i kompanisë publike Hekurudha Shqiptare (HSH) sha Genc Alizoti tha se në mesditën e 20 marsit 2014 u nis treni i parë me 14 vagonë vetëshkarkues, i ngarkuar në degëzimin e terminalit lindor të portit me rreth 800 tonë skrap.

Kjo sasi është bën pjesë në stokun prej 7 mijë tonësh të porositur nga kompania turke Kurum International sha në drejtim të degëzimit të uzinave të prodhimit të çelikut në Elbasan.

Alizoti i tha “Dyrrah”-ut se me kompaninë e njohur metalurgjike është rënë dakord për transport me shina edhe për 26 mijë tonë skrap.

Mësohet se kreu i kompanisë publike HSH sha Genc Alizoti është marrë personalisht me problemin e rifutjes në shërbim të degëzimit hekurudhor të portit, si mundësi për të përmirësuar treguesit ekonomikë.

Me këtë rast, pas dy vjetësh turqit i rikthehen përdorimit të trenave, nisur dhe nga fakti se tarifat e transportit hekurudhor janë 60 për qind më të ulëta se ato të transportit automobilistik privat.

Alizoti tha se u bashkërendua si me drejtorinë ekzekutive të Autoritetit Portual Durrës sha, edhe me drejtorinë e policisë së shtetit të qarkut, që u vu në dispozicion për të shmangur sulmet e mundshme për grabitje skrapi, sikurse ka ndodhur më parë (në foto).

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/