19 qershor 2015 – Shfrytëzoi kushërirën e tij për prostitucion dhe e la shtatzënë 8 herë duke e detyruar më pas që të abortonte. Ky është shqiptari nga Lezha, Mark Vathaj, për të cilin Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar 21 vite burg.

Nga hetimi i deritanishëm ka rezultuar se ai e ka marrë me dhunë vajzën e xhaxhait nga familja, në kohën kur kishte vdekur vëllai i saj, me pretendimin që do të shkonin për të bërë çregjistrimin e vëllait të vdekur nga gjendja civile. Por, nuk ndodhi kështu. Ai e rrëmbeu kushërirën dhe nuk e ktheu në shtëpi për një periudhë të gjatë kohore. Fillimisht e shfrytëzoi për prostitucion në Shëngjin, ku për çdo akt seksual me klientët, merrte nga 50 mijë lekë të vjetër, dhe më pas e ka prostituuar në Itali e Zvicër.

Të gjitha këto shfrytëzime bëheshin nën forcën e dhunës dhe kërcënimeve nga ana e tij për vrasjen e familjarëve. Ai gjithashtu kryente dhe vetë marrëdhënie seksuale me dhunë me kushërirën, të cilën e ka lënë 8 herë shtatzënë.

/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/