Një situatë e pazakontë është regjistruar këtë të martë në seancën stërvitore të ekipit tonë kombëtar.

Disa tifozë të tifogrupit “Illyrian Elite”, u futën me forcë në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” pavarësisht përpjekjeve të forcave të sigurisë për t’i ndaluar. 

Teksa futbollistët po stërviteshin, ata u ngjitën në mini-tribunën dhe shpalosën një banderol ku thumbonin FSHF-në.

“Padrejtësi dhe neglizhencë, ku janë biletat tona?”, ishte mbishkrimin në banderolën e tifogrupit “Illyrian Elite”.

Një mesazh i qartë, ku nëpërmjet tij duan të tregojnë pakënaqësinë për sa i përket paisjes me bileta për në Kampionatin Europian “Gjermani 2024”.

Të gjithë ishin të veshur me të zeza dhe pjesa më e madhe prej tyre kishin të mbuluar fytyrën, ndërsa tymueset e nxin tribunën, ku ata ishin vendosur.

Pas këtij momenti tifogrupi, ndezi flakadanë dhe filluan të këndonin këngë patriotike për ekipin kombëtar, që po përgatitet për dy ndeshjet miqësore me Kilin dhe Suedinë që do të zhvillohen në 22 dhe 25 mars.