VATIKAN, 13 mars 2013 – Nga Kapela Sistine doli tymi i bardhë dhe menjëherë më pas ranë këmbanat e bazilikës së Shën Pjetrit.

Bota ka tashmë Papën e ri. Arqipeshkvi i Buenos Aires, Jorge Mario Bergoglio do të zëvendësojë Papën e dorëhequr Benedikti XVI në drejtimin e Kishës së Shenjtë. Ishte kardinali Tauran që njoftoi zgjedhjen e 76-vjeçarit Bergoglio, i njohur në konklavën e kaluar, kur ishte një ndër kandidatët potencialë për të marrë drejtimin e Kishës. Jezuiti i vetëm brenda Konklavës ka zgjedhur të quhet Papa Francesko I. 

Që prej të martës, 115 kardinalët u izoluan për herë të parë në Kapelën Sistine të Vatikanit, ku vetëm pas votimit të pestë kanë mundur të zgjedhin Papën e ri.

Mbledhja e fshehtë ndodh një muaj pasi Papa Benedikti XVI ka dhënë dorëheqje, duke u bërë papa i parë në 600 vjet që heq dorë nga detyrat.

Ndërkaq janë me mijëra besimtarët, të cilët janë mbledhur në sheshin kryesor të Vatikanit, pritën me shumë entuziazëm paraqitjen e parë të Papës së ri.

/m.b. Agjencia e Lajmeve “Dyrrah”/