Tiranë, 3 maj 2014 – Shqipëria ka mundur 1-0, vendasit e Moldavisë, në ditën e dytë të Turneut Miqësor Ndërkombëtar "UEFA Development". Ekipi ynë ka qenë superior gjatë gjithë ndeshjes dhe mund ta mbyllte atë, me rezultat më të thellë. Për kuqezinjtë e trajnerit Xhemal Mustedanagiç, shënoi me penallti Rubin Heba.

Pas ndeshjes, trajneri i ekipit U-17, deklaroi për faqen zyrtare të FSHF: "Ndeshja ishte një tjetër test pozitiv për skuadrën. Ekipi po tregon lojë të mirë dhe ç'është më e rëndësishmja, qëndrueshmëri. Shpresojmë të vazhdojmë kështu edhe në ndeshjen e fundit".

Shqipëria do të zhvillojë të hënën ndeshjen e tretë në këtë turne kundër Sllovakisë.

Kjo ishte fitorja e dytë e kuqezinjve të cilët në ditën e parë kanë mposhtur Greqinë. Koha e rregullt është mbyllur me rrjeta të paprekura 0-0.

Loja e skuadrës tonë ka qenë gjithmonë e kujdesshme, e ka tentuar dhe e ka vënë në vështirësi kundërshtarin. Pas goditjes se 11-metërshave, Shqipëria arrin të jetë më e saktë dhe të fitojë 3-2. Ekipi grek i kësaj moshe (U-17), është rreshtuar në katërshen gjysëmfinaliste të Europianit të fundit. 

 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/